Veprimi shkatërrues i lakmisë
Rajoni u trondit nga dy ngjarje makabre. Në Shkup, në mes të ditës, Vanja, vajzë e re katërmbëdhjetëvjeçare, u rrëmbye në hyrjen e banesës ku jeton, duke dalë të shkojë në shkollë si të gjithë bashkëmoshatarët e saj. Ka indicje se babai i saj mund të ketë qenë në kontakt me rrëmbyesit, duke dashur të përfitojë nga pasuria e ish-bashkëshortes, nënës së Vanjës. Për më tepër, disa ditë më herët në Veles i njëjti ekzekutor Palço që tani gjendet në paraburgim të ekstradimit në Turqi, kishte rëmbyer dhe më pas vrarë Pançen nga Velesi, sipas gjasave për ta marë automobilin e tij me të cilin e ka transportuar Vanjën pas rrëmbimit. Dy vrasje makabre nga i njëjti ekzekutor. Dy vrasje të rënda që i tronditën të gjithë qytetarët dhe ngjallën mllef të madh dhe pasiguri. Ditë të kobshme për familjarët që pësuan humbje të mëdha.
Nga ana tjetër e kufirit, në Kosovë, bashkëshorti Naim organizoi dhe porositi vrasjen e bashkëshortes së tij Liridonës, edhe atë në sy të fëmijëve, duke dashur ta inskenojë si grabitje me armë, e gjithë kjo me qëllim që të përfitojë nga sigurimi jetësor i bashkëshortes në Suedi. Naimi e kishte menduar mirë këtë punë dhe kishte vendosur se është investim i mirë të porosisësh vrasjen e bashkëshortes për 30.000 Euro dhe të fitosh më pas një milion euro. Vetëm nuk e kishte llogaritur traumën e madhe që do ta shkaktojë te fëmijët e vetë, por edhe te i gjithë opinioni, gjatë kurdisjes së kësaj vepre të tmerrshme pa presedan.
Në të gjitha këto raste do të ketë hetime të thella dhe procedura komplekse gjyqësore. Por nga indicjet e gjertanishme të shpallura nga organet e rendit, vërehet një trajektore që i bashkon të tri veprat, një emërues i përbashkët: lakmia për para, që ngadalë dhe sigurtë po bëhet shkatërrimi i shoqërisë njerëzore në përmasa të tmerrshme. Në të tri vrasjet e përmendura, ka indicje se vrasësit, duke përfshirë këtu edhe ekzekutorët edhe porositësit, janë motivuar nga lakmia për përfitime materiale. Lakmia ka depërtuar aq thellë në personalitetin e njeriut dhe ka arritur t’i shkatërrojë edhe vlerat fundamentale njerëzore. Lakmia ka bërë që babai të bëhet shkas për vrasjen e së bijës. Lakmia ka bërë që babai të vrasë nënën e fëmijëve të tij në sy të fëmijëve dhe t’i traumatizojë ata për gjithë jetën. Është një gjendje absurde dhe e pakuptimtë, ku instiktet elementare njerëzore si që janë mbrojtja dhe kujdesi për pasardhësit kanë humbur çdo kuptim para lakmisë për më shumë para. Të jetuarit në një shoqëri konsumatore materialiste ka kontribuar që njerëzit t’i humbin vlerat e tyre fundamentale njerëzore dhe të shndërohen në monstra. Është e pamundur të kemi një ardhmëri të shëndoshë me këto zhvillime që shkojnë kundër natyrës dhe kundër instikteve bazike të njeriut.
Është trishtuese të shohësh në çfarë e shndëron lakmia njeriun. Është e frikshme të jetosh në një botë të udhëhequr nga lakmia. Lakmia është vesi që do ta shkatërrojë njerëzimin.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.