Vendkalimi i ri kufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, punimet filluan edhe në anën greke
Ministri për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Pançe Toshkovski, mori pjesë në zhvillimin e punimeve në ndërtimin e vendkalimit të ri kufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, transmeton Portalb.mk.
Toshkovski ishte i shoqëruar edhe nga homologu grek Teodoro Livanios dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Mihalis Rokas.
“Në këtë projekt me vlerë mbi 7.7 milionë euro, 80% e të cilave është financuar përmes programit IPA 3 të Bashkimit Evropian, planifikohet të rinovohet stacionin ekzistues policor në anën maqedonase, ndërtimi i një ndërtesë të re për kontrollin doganor dhe kufitar në anën e Greqisë dhe zhvillimin e shtegut ndërkufitar për këmbësorë ndërmjet fshatrave Bratuçinë dhe Agios Germanos me qëllim promovimin e eko-turizmit”, njoftoi MPB-ja.
Ndryshe, përmes projektit BorPress2 planifikohet ndërtimi i pikës së re kufitare ndërmjet këtyre dy shteteve, gjegjësisht ndërmjet Markova Nogës dhe Lemosit. Përmes këtij kalimi, do të zvogëlohet rruga nga 2 orë në 40 minuta.
“Projekti filloi më 14 shkurt të vitit 2025 dhe është planifikuar të zgjasë 36 muaj, duke përfunduar më 13 shkurt të vitit 2028”, premtoi MPB-ja.
Ndryshe, në qershor të vitit 2024, ish kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras i dhanë Çmimin e Paqes “Prespa” ndërmjetësuesit në negociatat për emrin Matthew Nimitz. Në shtator, Tsipras ka marrë çmimin e paqes “Nikos Nikoforidis” për Marrëveshjen e Prespës.
Kujtojmë se, ndryshimi i emrit të shtetit buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve. Të dy shtetet së fundmi i kishin dëmtuar raportet bilaterale pasi presidentja Siljanovska-Davkova nuk tha emrin kushtetues të vendit, Republika e Maqedonisë së Veriut, por vetëm Maqedonia, në inaugurimin në Parlamenti më 12 maj, për të cilin gjest ambasadorja greke Philippidou u largua nga salla plenare. Presidentja më pas nënshkroi deklaratën solemne në të cilën shkruhej Republika e Maqedonisë së Veriut.