Vendimet për të punësuarit me kontratë në RMV, debat ndërmjet ministrit të shëndetësisë dhe atij të financave

Të punësuarit pa kontratë në sektorin e shëndetësisë, është tema e debatit ndërmjet ministrit të shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, dhe ministrit të financave, Fatmir Besimi, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti sot në një deklaratë për mediat tha se duhet të zgjidhet çështja e punonjësve shëndetësorë të cilët shumë vite punojnë me kontratë në vepër, raporton MIA.

“Ata punojnë nga pesë-gjashtë vjet me kontrata në vepër, ndërsa disa nga ata edhe më shumë vite. Për këtë çështjen e hapa në mbledhjen e Qeverisë të martën e kaluar dhe patëm diskutim të ashpër me ministrin e financave. Duhet të angazhohemi që këto çështje t’i zgjidhim dhe t’i vendosim në rrugë të drejtë. Mezi e pres mbledhjen e re të Qeverisë të martën që të shoh se cilat janë mendimet dhe çka më tutje”, theksoi Mexhiti, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

Siç tha, shëndetësia është në gjendje të rëndë dhe duhet të fillohet me punë. Sipas tij, çështjet nuk mund të zgjidhen brenda natës, por është i nevojshëm riorganizim në shëndetësi.