Vendimet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen që u mbaj sot

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot ka mbajtur seancën e 166-të dhe 167-të, ku ndër të tjera u miratuan tekstet nga tri propozim-ligjet e Ministrisë së Financave, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria, me propozim të Ministrisë së Financave, miratoi tekstin e tri propozim-ligjeve, dispozitat e të cilave janë në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian”, sqarojnë nga Qeveria, duke vlerësuar që këto ndryshime të Ligjit për tatimin e vlerës së shtuar, e zvogëlojnë taksën për produktet.

Përmes ndryshimeve të tilla, mundësohet ulja e tatimit prej 18 % në 5 % për produktet menstruale, librat digjital; ndërkohë rritje prej 5 % në 10 % për produktet që bëjnë pjesë te konsumi për njerëz, por nuk janë bazike, ndërsa rritje të taksës për qarkullim dhe import nga 5 % në 18 % te peletat, shporetet dhe kaldajat.

Me ndryshimet e fundit u anulua zbatimi i normës së re të tatimit gjatë shitblerjes së pasurive të paluajtshme, e cila llogaritet e domosdoshme me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Me ndryshimet tjera vlerësohet se do të ketë mbledhje më të lehtë të TVSH-së dhe ulje të evazionit fiskal.

Në seancën  e sotme u miratua taksa për solidaritet e bazuar në drejtësi, barazi dhe proporcionalitet. Përmes kësaj takse planifikohet që qytetarët të kontribuojnë sipas mundësive në shlyerjen e borxhet publik dhe tejkalimin e krizës energjetike. Ajo përfshin kompanitë që kanë arritur fitim të paplanifikuar, të kontribuojnë në zbutjen e krizës.

Qeveria ka miratuar Ligjin për fitim në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian.

Në seancën e sotme tematike, u miratua grupi i parë i kontratave për vitin 2023, në përputhje me Ligjin për mbështetje financiare të investimeve. Qeveria sqaroi që grupi i parë përfshin 82 marrëveshje, ndërsa janë duke u vlerësuar edhe aplikimet tjera.