“Vëllazëri e interes”, sonte premierë Kërçovë

Sonte, më 18 dhjetor, me fillim nga ora 19:30, në Qendrën Kulturore “Koço Racin” në Kërçovë, do të jepet premiera e shfaqjes teatrore “Vëllazëri e interes”, me autor Kristo Flloqi dhe nën regjinë e Erjona Ahmetit, shkruan Portalb.mk.

Kjo shfaqje vjen si një trajtim artistik i marrëdhënieve njerëzore, duke zbërthyer me finesë temat e interesit, moralit dhe hipokrizisë, të vendosura përballë nocionit të vëllazërisë dhe solidaritetit. Përmes një gjuhe skenike të drejtpërdrejtë dhe një qasjeje bashkëkohore regjisoriale, publiku ftohet të reflektojë mbi realitetin shoqëror dhe zgjedhjet që individi bën përballë interesit personal.

Regjisorja Erjona Ahmeti për Portalb.mk tha se përmes kësaj komedie dëshiron të trajtojë një realitet shumë të njohur të shoqërisë tonë.

“Motivi që më ka nxitur për të vënë në skenë komedinë “Vëllazëri e interes” është dëshira që përmes komedisë të trajtoj një realitet shumë të njohur të shoqërisë tonë, si në kohët e më hershme po ashtu edhe në ditët e sotme. Është lufta në mes dashurisë, sinqeriteti krahas interesit, lakmisë, të ligës. Fenomen i cili vë në sprovë çdo lidhje shoqërore, madje edhe atë vëllazërore. Qasjen regjisoriale e kam ndërtuar duke i vënë përballë dashurinë dhe interesin. Skenat i përshkon ritmi i shpejtë dhe tensionet. Personazhet, skenë pas skenë ndryshojnë raportet me njeri-tjetrin në bazë të interesave që kanë, dikush për  dashurinë e vërtetë e dikush për verbërinë ndaj parave. Raportet ndërmjet personazheve krijojnë komedi e bashkë me mizanskenat dinamike nxjerrin në pah atë realitetit e hidhur që e kemi të pranishëm edhe në jetën reale”, tha Ahmeti.

Ajo shtoi se publiku do të rrëmbehet nga emocionet dhe të qeshurat e kësaj vepre.

“Në skenë do të luajnë disa të rinj shumë të talentuar dhe ambiciozë. Unë jam shumë krenare që qyteti ynë ka vajza dhe djem të rinj kaq punëtorë dhe artdashës. Jam e bindur se publiku do të rrëmbehet nga emocionet dhe të qeshurat duke ngritur pyetje se “A jemi vërtetë kaq të uritur kur bëhet fjalë për interesat personale”? Suksesi më i madh i kësaj shfaqje nuk është vetëm të qeshurat që do përcëllim te publiku por edhe ajo, që nëpërmjet komedisë dhe rrethanave që vihen personazhet, publiku të mund të njoh veten”, tha Ahmeti.

“Vëllazëri dhe interes”, komedia satirike e autorit Kristo Flloqi, vjen në skenë për të  zbuluar anën më ironike të marrëdhënieve familjare. Një vëlla kthehet nga kurbeti i varfër e i harruar, një kunatë që nuk njeh mëshirë, vëllezër që harrojnë gjakun… dhe në mes të gjithë kësaj, një dashuri e pastër fëmijërore që arrin të thyejë urrejtjen dhe egoizmin. Një histori plot humor, situata therëse dhe mesazhe të forta njerëzore, që kulmon me bujari, falje dhe… fund të lumtur.

Në role luajnë aktorët: Mimoza Çodari, Bora Mehmedi, Andi Mustafa, Andi Jahja dhe Leonard Ibishi.

Shfaqja realizohet nën organizim të INQK “Koço Racin” Kërçovë, i financuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit së RMV-së.

Për të gjithë të interesuarit hyrja kushton 100 denarë.