Vdis që të jetosh

 

Njeriu nuk lind vetëm një herë. Ai rilind kur vdes nga gjithçka që s’është vetvetja. Kur bie egoja, kur thyhen prangat e krenarisë boshe, kur ikin ambiciet që shurdhojnë zemrën, atëherë njeriu nuk është më rob.

Ai është i lirë. I gjallë. I vërtetë.

Vdis nga gjykimet e botës, nga duartrokitjet e rreme, nga pasqyrat që s’tregojnë shpirtin. Vdis nga të qenit aktor në një teatër që s’e do. Çlirohu nga rolet që të kanë veshur të tjerët.

Rrëzoje veten që të ngrihesh ndryshe.
Mos e humb jetën duke e ruajtur veten. Sepse ai që vdes përbrenda, për të jetuar me kuptim, s’ka për të vdekur kurrë.

Më mirë të digjesh nga e vërteta, sesa të ngrish në qetësinë e rreme të përshtatjes.

Njeriu jeton i fjetur, derisa vdes përbrenda dhe zgjohet. Jeta fillon atëherë kur shkatërrohen të gjitha gënjeshtrat me të cilat është rritur. Aty ku rrëzohet egoja, lind vetëdija.

Vetëm kur vdes nga e vjetra, lind e reja. Vetëm kur braktis atë që të tjerët e quajtën “ti”, zbulon kush je në të vërtetë. Vdis nga identitetet e shpikura, nga dëshirat që s’të përkasin, nga frika që të mbajtën peng. Sepse për sa kohë jeton me të vjetrën, nuk je gjallë, je i përshtatur, je në gjumë.

Vdis nga lakmia që të harxhon, nga krenaria që të mban zbrazur, nga zilia që të përvëlon, nga arsyetimet që të burgosin në një jetë pa kuptim. Vdis nga heshtja që nuk flet për të drejtën. Vdis nga përshtatja, nga bindja e verbër, nga “ashtu e do shoqëria”.

Vdekja e vërtetë nuk është fizike. Vdekja më e dhimbshme është kur je gjallë, por i zbrazët. Dhe lindja më e vërtetë është kur përbrenda shembet gjithçka e rreme dhe për herë të parë merr frymë si njeri i lirë.

Liria nuk të jepet. Ajo lind kur vdes. Kur bie poshtë gjithçka që s’je ti.

Në fund, s’ka më pyetje “kush jam”. Sepse ai që ka vdekur nga e rrema, është bërë vetë përgjigjja.

Shkruan: Hasan Hoxha