Vardari është një nga lumenjtë e fundit me rrjedhë pjesërisht të lirë në Evropë që duhet mbrojtur

Vardari është një nga lumenjtë e fundit me rrjedhë pjesërisht të lirë në Evropë. Rrjedha e poshtme e lumit tonë më të madh, e cila përfshin edhe grykën e Demir Kapisë, është një nga rezervatet natyrore më me vlerë në vend. Ajo është zonë Emerald që duhet të gëzojë mbrojtje për shkak të pasurisë dhe biodiverzitetit dhe si një zonë e rëndësishme për shpendët – zona IBA, e rëndësishme posaçërisht për grifonin dhe shkabën egjiptiane, të cilat janë në listën e specieve të rrezikuara. Në Vardar ka disa lloje endemike, ndërsa ka edhe një vegjetacion të veçantë pranë bregut të lumit. Në lumë nuk ka barriera, habitatet janë kryesisht natyrore, ndërsa peizazhet janë piktoreske dhe të ruajtura, shkruan Meta.mk.

Gryka gjithashtu është shënuar si një zonë potenciale Natura 2000, ndërsa sipas Direktivës së BE-së për Zogjtë dhe Habitatet, sot aty jetojnë 149 lloje të zogjve.

Edhe pse gjendja e përgjithshme me cilësinë e ujit të lumit Vardar nuk është e favorshme, pjesa e poshtme e lumit konsiderohet si kategori e dytë, me ndotje shumë më të vogël dhe me status më të lartë hidrologjik. Vlerat e jashtëzakonshme të rrjedhës së poshtme të Vardarit në grykën e Demir Kapisë tashmë njihen që në shekullin e kaluar, sidomos gjeomorfologjia e veçantë e grykës.

Vardari, për shkak të vlerës së tij, bashkë me 12 lumenj të tjerë, rrjedhat e fundit të egra ujore të Evropës Juglindore, u bënë pjesë e iniciativës “Bashkë për lumenjtë” e Organizatës Botërore për mbrojtjen e natyrës The Nature Conservancy (TNC), e cila punon me gjashtë organizata partnere nga pesë vende të rajonit, ndërsa në vend është partnere e Qendrës për hulumtim dhe informim për mjedisin jetësor “Eko Svest”. Iniciativa duhet të kontribuojë jo vetëm në mbrojtjen e vlerave natyrore, por edhe në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të komunitetit lokal në zonën e Demir Kapisë.

“Në Ballkan ndodhen lumenjtë e fundit të egër, të paprekur, të padëmtuar në kontinentin evropian dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të fillojmë t’i mbrojmë ato. Rrjedha e poshtme e Vardarit, së bashku me grykën e Demir Kapisë dhe i gjithë pellgu ujëmbledhës me lumenjtë Doshnica, Bosava dhe Klisurska Reka janë jashtëzakonisht të vlefshëm për t’i mbrojtur”, thotë Gjorgji Mitrevski nga “Eko Svest”.

Mitrevski thekson se Gryka e Demir Kapisë është shpallur zonë e mbrojtur që në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, por sipas legjislacionit aktual nuk gëzon mbrojtje aktive. Është e nevojshme të iniciohet një procedurë për rishpallje dhe të bëhet një Studim për rivlerësimin e vlerave të zonës, në bazë të të cilit do të përcaktohet territori dhe zonat e mbrojtura dhe do të bëhet propozimi për kategorinë e mbrojtjes. Në Greqinë fqinje, Vardari dhe delta tashmë janë të mbrojtura si zonë Natura 2000, prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që lumi të mbrohet edhe në vendin tonë dhe në këtë mënyrë të krijohet një biokorridor më i madh.

E veçanta e iniciativës “Bashkë për lumenjtë”, thekson Mitrevski, është se për herë të parë në vendin tonë dhe në rajon po punohet në një fushatë pozitive për mbrojtjen e lumenjve, për dallim nga aktivitetet e mëparshme që kryesisht synonin zgjidhjen e problemeve akute, si ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël, projektet infrastrukturore apo aktivitetet e tjera njerëzore me të cilat sulmohen lumenjtë.

“Ideja e kësaj qasjeje pozitive për mbrojtjen e lumenjve është përfshirja e të gjithë aktorëve dhe palëve të interesuara procesin e mbrojtjes që nga vetë fillimi. Në procesin e mbrojtjes së Vardarit me degët  dhe grykës së Demir Kapisë, që sapo ka filluar, që në fillim i përfshimë të gjithë aktorët – popullatën, organizatat qytetare, sektorin privat, vetëqeverisjen lokale dhe institucionet shtetërore. Mendojmë se është e nevojshme që nga fillimi të merren parasysh të gjitha qëndrimet, mendimet dhe argumentet, derisa të formohet iniciativa për mbrojtjen e zonës, nga e cila do të përfitonin të gjitha palët e interesuara”, thotë Mitrevski.

Lumi Mrezhnica, ashtu si Vardari, është një nga lumenjtë e fundit në Evropë me një rrjedhë pjesërisht të lirë. Ai është një nga katër lumenjtë e qytetit Karllovac në Kroaci që do të jetë i mbrojtur në kuadër të iniciativës “Bashkë për lumenjtë”. Ekipi i Meta.mk pak kohë më parë e vizitoi Karllovacin dhe i eksploroi përvojat kroate në mbrojtjen e pasurive natyrore të ujërave të ëmbla.

Lumi Mrezhnica, Karllovac, Kroaci: Meta.mk
Lumi Mrezhnica, Karllovac, Kroaci: Meta.mk

“Në Kroaci ka disa lumenj të mbrojtur. Nën një mbrojtje më rigoroze janë Kërka, e cila është pjesë e Parkut Kombëtar të Kërkës dhe disa pjesë të Zërmanjës, ndërsa në kategoritë më të ulëta të mbrojtura janë pjesë të lumenjve Slunjçica dhe Kërçiq. Ajo që po bëjmë ne tani në kuadër të iniciativës “Bashkë për lumenjtë” është një lloj ndryshe e mbrojtjes së rrjedhës së lirë të lumenjve në rajon. Lumenj të tillë të lirë në Kroaci janë Mrezhnica, Korana, Zërmanja në pjesën më të madhe të rrjedhës dhe një pjesë e Kupës”, thotë Irma Popoviq Dujmoviq nga TNS Kroaci.

Sipas Popoviq Dujmoviq, lumenj të tillë vështirë gjenden në Evropë. Për mbrojtjen e tyre është e rëndësishme që në pjesën më të madhe të rrjedhës të jenë të lira dhe të mos kenë ndërhyrje të mëdha në hapësirë ​​që do të pengonin dinamikën natyrore të lumit.

“Mrezhnica ka një hidrocentral të vogël që ndryshoi tërë rrjedhën e lumit, gjë që bëri që një ujëvarë më e vogël të përballet me mungesë uji në muajt e verës. Ne duam ta parandalojmë këtë në të ardhmen sepse ky lum nuk e meriton një fat të tillë. Hidrocentrali është ndërtuar shtatë apo tetë vjet më parë dhe sot e kësaj dite pyesim veten se si u lejua një gjë e tillë”, tha Popoviq Dujmoviq.

Disklejmeri për Smart Balkans, disclaimer