Valbona Adili Emini nga VLEN është deputete e re në Parlament pas dorëheqjes së Salim Sulejmanit

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) do të njoftojë Kuvendin për të verifikuar mandatin e deputetes Valbona Adili Emini, duke zëvendësuar deputetin Salim Sulejmani nga koalicioni VLENtransmeton Portalb.mk.

Në seancën e sotme, KSHZ arriti në përfundimin se Adili Emini e pranon mandatin, për të cilin i lëshohet një certifikatë me shkrim, pas dorëheqjes së Sulejmanit.

Më herët sot, para fillimit të seancës së 52-të, Kuvendi arriti në përfundimin se mandati parlamentar i Salim Sulejmanit, i cili dha dorëheqjen nga të gjitha pozicionet në ASh-së, si dhe nga pozicioni i deputetit në Kuvend, më 18 të këtij muaji, duke përmendur përgjegjësinë morale, profesionale dhe politike, dhe me dorëheqjen e tij, VLEN merr një deputet të ri.

Në një deklaratë publike, Sulejmani kritikoi afrimin me BDI-në dhe e përshkroi atë si një “kompromis të padenjë”.

“Nuk mund të jem pjesë e një Aleance që bën kompromis me njerëz të përmendur në listat e zeza ndërkombëtare”, theksoi Sulejmani.

Ai shpjegoi se hyrja e tij në politikë ishte e motivuar nga dëshira për ndryshime të vërteta, jo nga ambiciet personale. Ai theksoi se BDI është një “strukturë e lidhur me interesa klanore dhe personale” dhe shtoi se e konsideronte koalicionin VLEN si “antitezë të matricës së korruptuar”.

“Afrimi i Aleancës për Shqiptarët me BDI është një tradhti e premtimit dhe një shkelje e parimeve”, theksoi Sulejmani në dorëheqjen e tij.

Kujtojmë se Salim Sulejmani, dje në seancën qeveritare të RMV-së është emëruar si i dërguar special i vendit për vendet arabe.