Vala Adili së bashku më nxënësit të premten organizojnë shfaqje humanitare në Kërçovë

Të premten më datë 1 mars në orën 19:30 në Pallatin  e kulturës “Koço Racin” në Kërçovë, nxënësit e ShmK “Drita” që janë vullnetarë të Kryqit të Kuq, organizojnë shfaqje humanitare ” Martesa e avokatit” , hyrja është 50 denarë, njofton Portalb.mk.

Grupi i dramës
Grupi i dramës, foto nga Vala Adili

Vala Adili edhe pse psikoterapiste me profesion, përmes projekteve të ndryshme përmes Kryqit të Kuq ka arritur të mobilizojë rininë e Kërçovës dhe ta orientojë drejt letërsisë. Ajo së bashku me nxënësit organizojnë mbrëmje të ndryshme poetike me raste të ndryshme ose në Ditën Botërore të Poezisë ose data tjera të rëndësishme siç janë Dita e Alfabetit, 28 Nëntori dhe tjera.

Brenda çdo viti realizojnë shfaqje që edhe pse amatore, ato janë të kompletuara në të gjitha aspektet, me skenografi, kostume, përgatitje maksimale. Po ashtu kanë organizuar mbrëmje të ndryshme operistike, mbrëmje franceze etj.

Tashmë, Vala Adili thuajse tradicionalisht i organizon nxënësit për të vizituar Panairin e Librit në Tiranë dhe evente tjera që janë me rëndësi, por që gjithnjë thelbi ngelet letërsia.

Grupi i dramës
Grupi i dramës gjatë shfaqjes, foto nga Vala Adili

Duke qene dhe vet njohëse e mirë e poezisë dhe me shije, ka bërë që nxënësit e saj ta duan po aq dhe çdo i ri dhe  re nga Kërçova përmend emrin e Vala Adilit kur vjen fjala te jeta kulturore e këtij qyteti i cili nuk është se ka shumë aktivitete, por falë punës dhe dashurisë së Valës për letërsinë dhe tjerëve si ajo, mund të thuhet se këtij qyteti diçka kulturore i ndodhë.

Vala thotë se “Me kështu rini jemi gati për sfidat e shekullit. Kultura ështe tërësia e arritjeve të një populli prandaj gjithsecili me aq sa mundemi të kontribuojmë në edukimin e brezave që vijnë. Ata janë ardhmëria jonë.”

Nxënësit kohë më parë morën pjesë në realizimin e Komedi “Pallati 176”  me të cilën ngjallën interes te publiku, kjo ka bërë që shfaqjet që përgatisin të reprizohen disa herë.

Qytetarët e këtij vendi duken entuziast dhe nuk lënë karrige bosh sa herë që nxënësit lajmërojnë se japin shfaqje ose kanë përgatitur ndonjë mbrëmje me poezi. Hë për hë, mund të thuhet se janë grupi më aktivë dhe punëtorë që prodhojnë gjëra të bukura në këtë qytet. Ndaj, mos hezitoni të tregoni përkrahjen për te parë edhe shfaqjen, edhe për t’i ndihmuar të ndiejnë se këta të rinj po bëjnë diçka të mirë për të përmirësuar realitetin përreth tyre.

Afishe e shfaqjes
Afishe e shfaqjes, siguruar nga autorët