RMV është vend pjesërisht i lirë, vlerësoi Raporti i “Freedom House”

Me 67 pikë, Maqedonia e Veriut mbetet “vend pjesërisht i lirë”, sipas raportit të fundit të Freedom House për lirinë e botës, i cili përfshin 210 vende, sipas dy segmenteve – të drejtat politike dhe liritë civile. Sipas raportit, RMV-ja ka rënë për një vend në krahasim me vitin e kaluar, kur ishte shënuar me 68 pikë, transmeton Portalb.mk.

Të drejtat politike në RMV janë vlerësuar me 28 pikë nga gjithsej 40. Ndërsa liritë civile janë vlerësuar me 39 pikë nga 60 gjithsej. Në total nga 100 pikë RMV-ja ka marrë 67 pikë.

Foto: Printscreen nga Freedom House
Foto: Printscreen nga Freedom House

Vendet e rajonit, Shqipëria (68), Mali i Zi (69), Kosova (60), Bosnja dhe Hercegovina (51) dhe Serbia (57) i përkasin të njëjtës kategori me vendin.

Maqedonia e Veriut, ndër të tjera, është në shoqëritë me Indinë, Pakistanin, Ukrainën, Perunë, Hungarinë, Tanzaninë, Kenian, Meksikën dhe Bolivinë, të cilat gjithashtu hyjnë në domenin e “shteteve pjesërisht të lira”.

Raporti i “Freedom House” për RMV tregon rënie me një pikë vitin e kaluar krahasuar me vitin 2022 kur statusi i lirisë në Maqedoninë e Veriut u vlerësua me 68 pikë, por ende në kategorinë e vendit pjesërisht të lirë.

Kroacia (83 pikë), Rumania (83), Bullgaria (78), Greqia (85) renditen si vende plotësisht të lira në rajon.

Në fund të listës janë Nagorno-Karabaku, Tibeti, Sudani i Jugut, Siria, Koreja e Veriut, Afganistani, Azerbajxhani, Kina, Rusia.

Finlanda, Zelanda e Re, Suedia, Norvegjia, Holanda, Luksemburgu, Irlanda kryesojnë listën si “shtete plotësisht të lira”.

“Të drejtat politike dhe liritë civile u reduktuan në 52 vende, ndërsa vetëm 21 vende panë përmirësime. Zgjedhjet e manipuluara dhe konflikti i armatosur kontribuan në këtë rënie, duke kërcënuar lirinë dhe duke shkaktuar vuajtje të rënda njerëzore”, thekson raporti i Freedom House, duke shtuar se “konflikti i armatosur dhe kërcënimet e agresionit autoritar e kanë bërë botën më pak të sigurt dhe më pak demokratike”.

Raporti mes tjerash thekson se refuzimi i pluralizmit – bashkëjetesa paqësore e njerëzve me ide të ndryshme politike, fe ose identitete etnike – nga udhëheqës autoritarë dhe grupe të armatosura ka shkaktuar represion, dhunë dhe një rënie të madhe të lirisë së përgjithshme në vitin 2023. Këto tendenca krijojnë një mjedis të pafavorshëm për demokracinë ndërsa bota hyn në një vit të njëpasnjëshëm zgjedhor.