“Usje” ka paraqitur një kërkesë për leje të re, si kompania ashtu edhe qytetarët janë duke pritur

Aktivistët mjedisorë kanë një numër të madh kërkesash dhe pritshmëri të larta nga procedura në vazhdim për rinovimin e lejes mjedisore të integruar A për Fabrikën e Çimentos “Usje” në Shkup. Ata kërkojnë kritere më të rrepta dhe kontroll më të rreptë të emetimeve të gazrave të dëmshëm, raporton 360shkallë, përcjell Portalb.mk.

Nga ana tjetër, Usje pret që leja e tyre të rinovohet në një proces transparent. Ekspertët që pyetëm besojnë se është ende e mundur të kesh një industri të zhvilluar dhe një mjedis të mbrojtur në të njëjtën kohë.

Këtë dimër, ashtu si në dimrat e mëparshëm, banorët e Shkupit protestuan kundër ajrit të ndotur. Dallimi këtë herë është se fokusi ishte në Fabrikën e Çimentos Usje – një fabrikë që u ndërtua jashtë qytetit, por tani është e rrethuar nga shtëpi dhe ndërtesa.

Iniciativa qytetare “Stop Usjes” më 26 mars i dorëzoi Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor propozimin e saj për leje të integruar A për Fabrikën e çimentos. Iniciativa thotë se propozimi është hartuar në përputhje me rregulloret evropiane për industrinë e çimentos, si dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kufijtë e ndotjes.

Kujtojmë se pas një sërë protestash dhe kërkesash nga iniciativat qytetare për ajër të pastër, Qyteti i Shkupit ka pranuar iniciativën për zhvendosjen e fabrikës së çimentos Usje jashtë qytetit. Tani Qeveria duhet të shqyrtojë mënyrën për të filluar procedurë për zhvendosjen e Usje dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë në vende të përshtatshme jashtë luginës së Shkupit.

Ndryshe, Shkupi periudhën e kaluar ka qenë me ajër shumë të ndotur, shpesh duke kryesuar listat e qyteteve më të ndotura.