Ushtria izraelite vrau 20 palestinezë të cilët po prisnin për ndihma në Gaza

Ushtria izraelite hapi zjarr duke vrarë 20 palestinezë dhe duke plagosur të paktën 155 të tjerë të cilët po prisnin për ndihma humanitare në kryqëzimin Al-Kuwait në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza thuhet se ushtria izraelite shënjestroi palestinezët të cilët po prisnin për ndihma humanitare në kryqëzimin Al-Kuwait në Rripin e Gazës.

“Në sulm humbën jetën 20 persona dhe u plagosën të paktën 155 të tjerë”, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se Izraeli ka treguar qëllimin e tij të planifikuar më parë për të kryer masakër të re dhe të tmerrshme.

Në deklaratë vihet në dukje se procesi i evakuimit të të vrarëve dhe të plagosurve vazhdon pavarësisht situatës së vështirë në terren në kryqëzimin Al-Kuwait dhe se numri i të vrarëve mund të rritet për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të të plagosurve që kanë mbërritur në spitale.

Gjithashtu edhe agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA njoftoi se dhjetëra persona u vranë dhe u plagosën si pasojë e shënjestrimit nga Izraeli të palestinezëve të cilët po prisnin për ndihma humanitare në kryqëzimin Al-Kuwait.