Bekteshi sugjeron: Partitë që do të humbasin në zgjedhje të mos merren më me politikë

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi nga radhët e BDI-së ka bërë sot një propozim dhe u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të arrijnë marrëveshje – ata që do të humbasin në zgjedhjet e ardhshme të tërhiqen nga politika. Bekteshi e tha këtë duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, do të tërhiqej nga posti partiak nëse BDI humbet në zgjedhjet e ardhshme, transmeton Portalb.mk.

“Kjo është një pyetje për zotrin Ahmeti, por këtu, unë po bëj thirrje për marrëveshje, nëse duan të nënshkruajnë publikisht një marrëveshje në mes të gjithë parive politike – ai që humbet të mos merret më me politikë. Por pse nuk do të ndodhte kjo, sepse këto të ashtuquajturat Liderët e partive politike – kjo vlen jo vetëm për opozitën maqedonase por edhe për liderët tjerë – të gjithë i humbën zgjedhjet jo një herë por disa herë, vetëm zoti Ahmeti nuk i ka humbur dhe nuk do t’i humbë zgjedhjet”, tha Bekteshi.

Duke iu referuar rezultateve të sondazheve parazgjedhore, Bekteshi vlerësoi se BDI do të jetë fituese në bllokun politik shqiptar në zgjedhjet parlamentare. I pyetur për një koalicion të mundshëm me LSDM-në në zgjedhje, ministri tha se aktualisht dy partitë nuk janë shumë afër mundësisë për koalicion të përbashkët.

Për propozimin e Bekteshit që partitë që humbin zgjedhjet të mos merren më me politikë, sot është pyetur për koment ish-kryeministri dhe lideri aktual i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.

“Uh, kjo është… Nuk e di se çfarë tha Kreshnik Bekteshi, kështu që nuk mund të komentoj vërtet”, tha Kovaçevski.

I pyetur se si e mendon këtë propozim dhe nëse Partia Socialdemokrate i humb zgjedhjet, a do të tërhiqej ai personalisht nga partia, Kovaçevski përgjigjet:

“Shikoni, unë jam në LSDM që nga viti 1994 dhe që atëherë LSDM i ka fituar zgjedhjet. Edhe LSDM-ja kishte rezultate më pak të suksesshme në zgjedhje, por kjo vlen për të gjithë anëtarët që kanë qenë në LSDM që nga ajo kohë. Është si të thuash që nëse një ekip futbolli humbet një ndeshje, atëherë të gjithë futbollistët dhe trajnerët nuk duhet të luajnë më kurrë futboll. Nuk e kam parë deklaratën dhe nuk mund të komentoj në detaje. Politikanët merren me politikë, ata ofrojnë zgjidhjet e tyre, ndërsa qytetarët vlerësojnë se çfarë është në interesin e tyre në një moment të caktuar – në një moment ata mbështesin një parti, më vonë mbështesin një parti tjetër politike, në nivel lokal mbështesin një parti, në nivel shtetëror ata mbështesin një tjetër, shpesh herë kandidatët e pavarur mund të zgjidhen qoftë në zgjedhjet lokale apo parlamentare”.

Kujtojmë se, për zgjedhjet që do të mbahen këtë vit, votuesit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar afati i vlefshmërisë brenda nëntë muajve deri në ditën e zgjedhjeve. Kuvendi me 7 mars, në seancën e 147-të, me procedurë të shkurtuar, me 84 vota për dhe 2 abstenime, miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.