Në kohë tronditjesh të mëdha shfaqen “parashikuesit” dhe luajnë me ndjenjat e njerëzve. Ngjallin frikë për të fituar audiencë. Frika shet lajmet, por nuk zgjidh asgjë. Ajo vetëm na paralizon. Fati është mizor me frikacakët dhe ata që vetëm presin pa vepruar.
Të lëmë mënjanë “parashikuesit” që flasin shumë pa thënë asgjë. Të shohim se çfarë thonë ekspertët dhe institucionet prestigjioze për rrjedhat botërore.
Ata theksojnë se tashmë kemi hyrë në epokën e pasigurisë globale, veçanërisht pas luftës në Ukrainë, tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rritjes së konkurrencës SHBA – Kinë. Rivalitetet e fuqive të mëdha pritet të shoqërohen me konflikte të herëpashershme në vende të ndryshme, varësisht ku priten interesat. Ndërkohë mungon vullneti politik dhe përgjegjësia e liderëve për të krijuar një rend të qëndrueshëm botëror.
Sipas parashikimeve të ekspertëve, ndarjet e thella në rendin ndërkombëtar do të vazhdojnë me tensione tregtare, pasiguri dhe rritje të rreziqeve gjeopolitike.
Historia dëshmon se pas tronditjeve globale, stabiliteti arrihet pas dhjetëvjeçarëve, por asgjë nuk mbetet si më parë.
Në kohën kur stabiliteti botëror është i brishtë dhe tensionet gjeopolitike në rritje, mjeshtëria e shteteve të vogla është të ndjekin me urtësi zhvillimet botërore dhe të mos bëjnë hapa të gabuar.
Shqiptarët kanë orientim të qartë strategjik. Pavarësisht nga gabimet që bëjnë në planin lokal, e synojnë integrimin në BE dhe forcimin e lidhjeve me SHBA dhe NATO. Historia tregon se çdo alternativë tjetër do të ishte e dëmshme.
Ky orientim strategjik duhet të shoqërohet me forcimin dhe modernizimin e institucioneve, që arrihet me urtësi e strategji afatgjate dhe jo me veprime politike për përfitime ditore. Mjerisht, në skenën politike kemi shumë politikanë që i shohin gjërat vetëm nga konteksti lokal.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.