Sonte në Operën dhe Baletin Nacional në Shkup do të shfaqet premiera e baletit “Zonja Bovari”

Sonte (25 qershor), duke filluar nga ora 20:00 në skenën e madhe të Operës dhe Baletit Nacional në Shkup, do të jepet premiera e produksionit të ri të baletit “Zonja Bovari”, e frymëzuar nga romani i Gustav Flloberit, shkruan Portalb.mk.

Shfaqja e dytë e baletit është planifikuar më 27 qershor.

Kjo vepër baleti, e vendosur në dy akte, tregon dramën e shpirtit femëror, dëshirën për pasion, liri dhe përplasjen tragjike me normat shoqërore.

Dirigjenti është Eduard Ambarcumjan nga Armenia, koreografia është nga Viktor Ishçuk nga Ukraina, i cili kap frymën e shekullit të 19-të me precizitet dhe shprehje bashkëkohore, ndërsa sfondi muzikor është i përbërë nga vepra nga K. Sen-Sans, M. Ravel, Zh. Masne, F. Mendelson dhe G. F. Hendel, skenografia dhe kostumografia janë nga Andrej Zllobin dhe Gana Ipatieva nga Ukraina, dizajni i ndriçimit, Millço Aleksandrov, dhe mjeshtër koncerti është Kliment Todorovski, menaxher gjeneral i projektit është Kire Pavlov.

Ky realizim skenik i kushtohet jubileut të 25 vjetorit të aktivitetit artistik të primabalerinës, Marija Kiçevska Shokarovska, e cila la gjurmë të thella në historinë e baletit.

Ajo do të interpretojë rolin kryesor të Ema Bovari, rolet e tjera do të interpretohen nga Francisko Himenez Ruiz (Sharll Bovari), Ballazh Lloçei (Rudollf Bullanzhe), Dmitro Çebotar (Tregtari Lere) dhe Endru Kuk (Doktor Ome) së bashku me solistët, ansamblin e baletit dhe orkestrën e Operës dhe të Baletit Nacional.