UNRWA: Gaza në përballje me dimrin e ashpër, Izraeli i bllokon ndihmat
Gaza po përballet me krizë të thellë humanitare ndërsa afrohet dimri. Strehimi dhe ndihmat mbeten të bllokuara nga Izraeli, paralajmëroi agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, transmeton Portalb.mk.
Në një deklaratë në platformën X, UNRWA njoftoi se ndihmat dimërore për familjet e zhvendosura ndodhen ende në depot e saj në Jordani dhe Egjipt.
“Ndërsa dimri po afron në Gaza, njerëzit kanë gjithnjë e më shumë nevojë për strehim dhe ngrohtësi”, tha agjencia, duke kërkuar lejimin e menjëhershëm të ndihmave humanitare.
Ndërkohë, transmetuesi publik izraelit Kan raportoi se Izraeli nuk ka ndërmend ta lejojë UNRWA-në të rifillojë punën në Gaza, pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Një ditë më parë, Gjykata kishte vlerësuar se palestinezët në Gaza nuk po marrin furnizime të mjaftueshme dhe se Izraeli duhet të lehtësojë shpërndarjen e ndihmave, si dhe të ndalojë përdorimin e urisë si armë lufte.
Vendimi ishte këshillues dhe jo detyrues.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin, kufizimet për hyrjen e mallrave në Gaza vazhdojnë.
Kjo marrëveshje u arrit në fillim të muajit dhe bazohet në planin 20-pikësh të paqes të presidentit amerikan Donald Trump.
Faza e parë parashikonte lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë.
Fazat e tjera përfshijnë rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Që nga tetori 2023, lufta izraelite në Gaza ka vrarë mbi 68.000 njerëz.