UNESCO i dha Qeverisë edhe pesë vjet për ta shpëtuar Ohrin si trashëgimi botërore

Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s vendosi sot që Rajoni i Ohrit të mos përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Në vend të kësaj, Qeveria mori edhe pesë vjet kohë për të zbatuar rekomandimet e UNESCO-s për mbrojtjen e rajonit. Vendimi u mor në seancën e sotme të sesionit të 48-të të Komitetit, që po mbahet në Busan të Koresë së Jugut. Pro vendimit votuan 16 nga 21 vendet anëtare të Komitetit të Trashëgimisë Botërore. UNESCO e shtyu përfshirjen e Rajonit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, bazuar në letrën e nënshkruar me zotimet dhe prioritetet që morën përsipër Qeveria dhe komunat, transmeton Portalb.mk.

Delegacioni i Maqedonisë në Busan udhëhiqet nga ambasadori në Paris, Igor Nikollov, së bashku me disa nëpunës shtetërorë nga disa ministri.

Në projektvendimin e Komitetit ishte propozuar që “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e Rajonit të Ohrit (Shqipëri, Maqedoni e Veriut) të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik”, me arsyetimin se përparimi është i pamjaftueshëm, kërcënimet janë serioze dhe rreziqet kryesore nuk janë eliminuar.

Më 18 korrik, kryeministri Hristijan Mickoski tha se Qeveria i kishte kërkuar UNESCO-s t’i japë afat prej gjashtë vjetësh për të vepruar lidhur me vërejtjet për mbrojtjen e Rajonit të Ohrit.

“Ky është një problem i trashëguar nga e kaluara. Ne kemi ndërmarrë aktivitete si asnjë qeveri më parë. Përfaqësuesit e UNESCO-s ishin këtu para disa javësh. Patën një fundjavë pune, vizituan të gjitha komunat, biseduan me të gjithë aktorët përkatës, përfshirë edhe mua në Qeveri. Kërkojmë të na japin një periudhë prej gjashtë vjetësh për të korrigjuar atë që është konstatuar nga e kaluara. Edhe sikur të ishim supermenë, për dy vjet nuk mund të rregullojmë diçka që është shkatërruar për tre dekada e gjysmë. Madje në këtë rast edhe më gjatë, kur bëhet fjalë për ndërtimet pa leje dhe gjithçka që është bërë përgjatë bregut të Ohrit”, tha Mickoski.

Gjatë periudhës 2017–2025, kryetarë të Komunës së Ohrit nga LSDM ishin Jovan Stojanoski (2017–2018) dhe Konstantin Georgievski (2018–2021), ndërsa që nga viti 2021 e deri më tani kryetar është Kiril Pecakov nga VMRO-DPMNE. Pikërisht pushteti lokal lëshon lejet e ndërtimit dhe ka për detyrë të rrënojë objektet e ndërtuara pa leje.

Më 16 korrik u publikua projektvendimi me të cilin UNESCO propozonte që Rajoni i Ohrit të vendosej në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Edhe vitin e kaluar, kur Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s i dha edhe një vit periudhë shtesë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në vend që ta përfshinte Rajonin e Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pushteti i kaluar ishte fajtor për mosrealizimin e detyrimeve ndaj UNESCO-s.

Mickoski më 18 korrik theksoi se ky proces nuk varet vetëm nga Maqedonia e Veriut, por edhe nga Shqipëria, pasi Liqeni i Ohrit është trashëgimi natyrore e përbashkët.

Ashtu si këtë vit, edhe vitin e kaluar, në sesionin e 47-të, Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s në projektvendimin e tij propozoi që Rajoni i Ohrit të vendosej në Listën e Trashëgimisë Botërore Natyrore dhe Kulturore në Rrezik. Megjithatë, Qeveria paraqiti një amendament për tërheqjen e atij vendimi dhe UNESCO i dha edhe një vit afat shtesë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ky vendim u dënua ashpër nga 40 organizata nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe vende të tjera evropiane, të cilat akuzuan se Komiteti kishte injoruar edhe një herë rekomandimet e ekspertëve.