Zvarritet plani i mobilitetit për kaosin e trafikut në Tetovë, dokumenti në përkthim

Plani i mobilitetit për zgjidhjen e kaosit urban në Tetovë nuk ka filluar të implementohet ende në terren, dokumenti është duke u përkthyer, raporton Portalb.mk.

Sipas autoriteteve komunale, plani i mobilitetit si dokument final duhej të ishte gati para Vitit të Ri, por kjo nuk ndodhi, dokumenti final nuk është bërë publik as tre muaj pas Vitit të Ri.

Komuna e Tetovës nuk jep afat konkret se kur dokumenti do publikohet dhe kur do fillojë implementimi.

“Plani i mobilitetit është në përkthim, dhe pastaj menjëherë do të behet publike për opinionin”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Zgjidhja për kaosin në trafik, tani e disa kohë nga Komuna e Tetovës thuhet se do të bëhet përmes planit të mobilitetit.

Ky plan i mobilitetit është përgatitur nga Instituti INSI nga Kosova dhe përmes tij pritet të zgjidhet çështja e kaosit në trafik si parkingjet, regjimi i rrugëve, transporti publik, uzurpimi i trotuareve dhe të tjera. Deri tani janë mbajtur dy debate publike.

Në ndërkohë, plani i ri gjeneral urbanistik për Tetovën pritet të sillet në vitin 2026.

Pavarësisht se autoritetet me vite kanë premtuar zgjidhje për këto probleme, pamjet nga terreni flasin ndryshe. Situata rrëndohet ende më shumë gjatë verës dhe dimrit, kur kthehen mërgimtarët.