U prezantua plani për zgjidhjen e kaosit urbanistik në Tetovë, qytetarët do mund të japin propozime

Plani i mobilititetit për zgjidhjen e kaosit urban në Tetovë pritet të publikohet në ueb-faqen e Komunës së Tetovës, ku më pas qytetarët mund të japin propozimet e tyre, raporton Portalb.mk

Drejtori i institutit INSI nga Kosova të cilët e kanë përgatitur këtë plan, Ismail Bafqari theksoi se me propozimin e parë të planit parashikohen zgjidhje si heqja e makinerive që nuk duhet lëvizin në trafik brenda qytetit, por edhe shërbimi efikas i transportit publik. 

“Janë marrë masa nga tranzitet që e lirojnë zonën urbane, si automjete të panevojshme për të hy në zonën urbane. Janë bë zgjidhje për transportin publik dhe është bë një studim që kap 80 përqind të qytetarëve dhe racionalizon edhe ato pesë autobusë që janë, për me pas shërbim çdo dhjetë apo pesëmbëdhjetë minuta, është bë zgjidhje tek parkingjet e tjera që besojmë se pas aprovimit të dokumentit do të rezultojë me një cilësi tjetër qyteti”, deklaroi Bafqari. 

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Ksami tha se me këtë parashikohet që të ketë zgjidhje përfundimtare e kaosit në trafik. 

“Me çka Tetova do ketë rrugë më të lëvizshme, vendparkime të mjaftueshme për qytetin por edhe një plan të detajuar për lëvizjen e transportit publik dhe biçikletave apo trotinetëve. Brenda javës plani do të jetë i hapur për publikun dhe do jetë në faqen e komunës, ndërsa do mund çdo qytetarë të jap vërejtjet dhe besojmë që versionin e parë ta kemi nga fundi i këtij muaji dhe që pastaj të vazhdojmë me projektet për implementimin e këtij plani”, tha Kasami

Këto komente u bënë pas debatit publik për këtë plan në hapsirat e komunës. 

Plani i mobilitetit të qëndrueshëm urban pritet të jetë gati nga fundi i vitit 2025 bashkë me propozimet konkrete, ndërsa një periudhë më e gjatë, do të nevojitet për planin gjeneral urbanistik 

Kujtojmë se, studimin e mobilitetit kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami e ka paralajmëruar dhe përmendur disa herë përmes të cilit pritet të zgjidhet çështja e kaosit në trafik, si parkingjet, regjimi i rrugëve, transporti publik, uzurpimi i trotuareve dhe të tjera. 

Në ndërkohë, plani i ri gjeneral urbanistik për Tetovën pritet të sillet në vitin 2026. 

Pavarësisht se autoritetet me vite kanë premtuar zgjidhje për këto probleme, pamjet nga terreni flasin ndryshe. Situata rrëndohet ende më shumë gjatë verës dhe dimrit, kur kthehen mërgimtarët.