Pas shumë zvarritjeve u publikua Plani i Mobilitetit i cili pritet t’i japë fund kaosit urban në Tetovë, afatet kohore të paqarta (Dokument)

Pas shumë vonesave dhe premtimeve të shkelura për publikim, Komuna e Tetovës e ka publikuar Planin e Mobilitetit 2026-2036 i cili pritet t’i japë fund kaosit në trafik. Megjithatë, zbatimi nuk duket i lehtë, pasi plani parashikon shumë masa dhe projekte, disa nga të cilat deri tani kanë rezultuar të pasuksesshme. Megjithatë, nuk ka afate konkrete të realizimit, plani parasheh masa afatshkurta, afatmesme dhe afatgjate, shkruan Portalb.mk.

Plani i Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban për Tetovën është dokument strategjik që përcakton se si do të organizohet lëvizja në qytet në vitet e ardhshme, duke përfshirë jo vetëm trafikun e veturave, por edhe transportin publik, ecjen, biçikletat dhe mënyrën e menaxhimit të parkimit.

Zbatimi i planit parashihet përmes një kombinimi masash infrastrukturore dhe organizative.

Ndër to përfshihen ndërtimi i parkimeve të reja, sidomos garazheve shumëkatëshe me kapacitet të madh, largimi i parkimit nga bulevardet kryesore, vendosja e korsive të veçanta për autobusë dhe riorganizimi i trafikut me rrugë njëkahëshe dhe korsi të dedikuara për kthime.

Po ashtu, planifikohet zhvillimi i sistemit “Park & Ride”, ku qytetarët do të mund të lënë veturat në hyrje të qytetit dhe të vazhdojnë me transport publik, si dhe digjitalizimi dhe forcimi i kontrollit të parkimit.

Implementimi nuk është planifikuar të ndodhë menjëherë, por në disa faza kohore.

Masat afatshkurtra, si riorganizimi i parkimit dhe kontrolli më i madh në trafik, pritet të nisin menjëherë pas miratimit të planit.

Në periudhën afatmesme parashihen ndërhyrje më të mëdha në transportin publik dhe infrastrukturën rrugore.

Projektet më të mëdha, si parkimet në kate dhe transformimi i plotë i sistemit të mobilitetit, janë të planifikuara për afatgjatë.

Zbatimi i planit pritet të bëhet nga Komuna e Tetovës në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike “Parkingu i Qytetit”, institucionet qendrore dhe partnerë të tjerë, përfshirë sektorin privat dhe donatorët ndërkombëtarë.

Masat do të fokusohen në të gjithë territorin e qytetit, me theks të veçantë në pjesët qendrore, bulevardet kryesore dhe hyrjet e qytetit, ku problemet e trafikut janë më të theksuara.

Portalb.mk e pyeti kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin se kur do fillojë konkretisht zbatimi i këtyre masave, ai tha se kanë në plan që masat të realizohen edhe më shpejtë nga se janë paraparë në plan, por pa dhënë afate konkrete.

“Janë paraparë masa dhe dinamika e realizimit të tyre, ne si Komunë kemin formuar një grup të veçantë që përbëhet nga Sektori për Veprimtari Komunale, Ndërmarrja e Parkingjeve, aty do përfshihen edhe nga Sektori për Punë të Brendshme, i cili do të përcjellë implementimin e masave të cilat kanë dalë nga Plani i Mobilitetit. Plani i jonë është që në afat edhe më të shkurtër se ajo që është paraparë në Planin e Mobilitietit, të realizohet pjesa më e madhe veçanërisht e parkingjeve që janë paraparë”, tha Kasami.

Ai shtoi se po analizohen edhe mundësi tjera sa i përket maksimizimit të efekteve të rezultateve të dala nga ky plan si dhe digjitalizimin e shërbimeve.

Më poshtë gjendet i gjithë dokumenti i plotë.

https://www.slideshare.net/slideshow/plani-i-mobilitetit-te-qendrueshem-urban-per-tetoven-2026-2036/287044220

Zgjidhja për kaosin në trafik, tani e disa kohë nga Komuna e Tetovës thuhet se do të bëhet përmes planit të mobilitetit.

Ky plan i mobilitetit është përgatitur nga Instituti INSI nga Kosova dhe përmes tij pritet të zgjidhet çështja e kaosit në trafik si parkingjet, regjimi i rrugëve, transporti publik, uzurpimi i trotuareve dhe të tjera. Deri tani janë mbajtur dy debate publike.

Në ndërkohë, plani i ri gjeneral urbanistik për Tetovën pritet të sillet në vitin 2026.

Pavarësisht se autoritetet me vite kanë premtuar zgjidhje për këto probleme, pamjet nga terreni flasin ndryshe. Situata rrëndohet ende më shumë gjatë verës dhe dimrit, kur kthehen mërgimtarët.