U shty gjyqi në rastin “Shtekli”, i pandehuri i parë Rade Trajkovski pësoi krizë epileptike në sallën e gjyqit

Gjykimi i Rade Trajkovski-Shteklit dhe disa personave të tjerë të akuzuar për trafik të organizuar droge është shtyrë për më 9 tetor. Kërkesa për seancën e sotme erdhi nga avokati i të pandehurit të parë Shtekli. Shtekli, para fillimit të seancës së sotme, siç raportoi MIA, pati një lloj krize epileptike dhe ra në sallën e gjyqit. Pasi mori ndihmë nga mjekët e urgjencës, Shtekli refuzoi të merrte terapi, ndërsa Gjykata vendosi të vazhdojë seancën nga një hapësirë tjetër në Gjykatë, transmeton Portalb.mk.

“E kontrolluam. Ai vetë ishte i kontaktueshëm dhe tha se nuk e dinte se ku ndodhej. Nuk dëshiron të marrë terapi, sepse po merrte terapi të tjera në burg. Nuk donte të nënshkruante deklaratë se refuzonte terapinë”, tha mjekja.

Avokati i Shteklit, Sashko Dukovski, reagoi para Gjykatës se një krizë epileptike e një personi me epilepsi të diagnostikuar nuk mund të jetë në asnjë mënyrë prishje e rendit në sallën e gjyqit.

Sipas Dukovskit, që nga fillimi i seancës deri më tani, Rade Trajkovski as nuk e ka fyer dhe as nuk e ka prishur rendin në sallën e gjyqit.

“Pak para fillimit të seancës kryesore dëgjimore, ai pati krizë epileptike. I pandehuri u ekzaminua dje dhe iu dha terapi nga një psikiatër, duke duke marrë parasyshe idetë vetëvrasëse. Duhet të theksoj se mjeku i përgjithshëm nga Departamenti i Urgjencës nuk mund të thoshte nëse ai mori terapi sot, sepse nëse nuk e ka marrë, një nga rezultatet e mundshme është ky,” tha Dukovski.

Avokati kërkoi shtyrje, duke theksuar se nuk mund të kryente pyetje dhe pyetje të kryqëzuara pas një incidenti të tillë dhe këmbënguli që të theksohej se nuk ishte në interes të mbrojtjes të vonohej gjyqi.

“Nuk mund të jetë prishje e rendit, refuzimi i një diazepami dhjetë miligramësh. Nuk mund të kryej pyetje dhe pyetje të kryqëzuara pas kësaj të sotmes. Prandaj, i bëj thirrje Gjykatës që të caktojë një datë për këtë seancë dëgjimore dhe që mjeku i burgut të shohë nëse Shtekli ka marrë apo jo terapi sot,” tha avokati.

Gjykatësi Ilija Trpkov theksoi se qëllimi i Gjykatës është që gjykimi të jetë ekonomik dhe efikas dhe të respektojë të gjitha të drejtat e të pandehurve dhe sigurisht të kujdeset për shëndetin e të pandehurve.

“Ky rast nuk është vetëm Rade. Ka edhe të pandehur të tjerë këtu. Megjithatë, duke pasur parasysh se keni rreth 20 pyetje, dhe tani është ora 14:00 dhe për të qenë praktikë, seanca kryesore dëgjimore shtyhet për më 9 tetor. Megjithatë, ju siguroj se të gjitha përpjekjet për shtyrje do të sanksionohen”, tha gjykatësi Trpkov.

Në seancën dëgjimore për këtë rast, e cila u zhvillua më 3 shtator, eksperti i mbrojtjes Gjorgjija Haxhi Angellovski e vlerësoi Shteklin si psikotik.

Në fillim të dëshmisë së tij, ai tha se e kishte vizituar Shteklin në burgun e Shkupit, dhe biseda me të zgjati më shumë se zakonisht.

Sipas tij, gjendja e të pandehurit kishte ndryshuar ndjeshëm krahasuar me ekspertizën e mëparshme që ai kishte kryer shtatë deri në dhjetë vjet më parë, kur Shtekli u diagnostikua me epilepsi.

Ai shtoi gjithashtu se i pandehuri është i ftohtë, i shkëputur emocionalisht, i irritueshëm dhe paranojak, gjë që vërteton se ai ka instaluar kamera në shtëpinë e tij dhe është i bindur se po ndiqet.

Sipas ekspertizës së paraqitur nga mbrojtja e tij, Shtekli vuan nga një çrregullim me karakteristika skizofrenike, ka halucinacione dhe ide paranojake dhe nuk është në gjendje të ndjekë procedurat gjyqësore. Në të kundërt, Prokuroria përgatiti raport psikiatrik duke pretenduar se ai nuk ka probleme mendore dhe është i aftë të marrë pjesë në seancën gjyqësore.

Aktakuza, e ngritur nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, mbulon gjithsej 10 persona, pas një hetimi pothuajse njëvjeçar në të cilin u aplikuan masa të posaçme hetimore. Fillimisht, u përfshinë 16 persona, shtatë prej të cilëve tashmë kanë lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe kanë marrë dënime me burgim nga 3 deri në 3.5 vjet.

Katër të pandehur – Danço Masev, Dimitar Trajkov, Vladimir Veselinovski dhe Branislav Zajkov – gjithashtu paraqitën kërkesë për pranim fajësie, pas së cilës Gjykata lëshoi vendim për ndarjen e procedurave penale.

Sipas Prokurorisë, grupi ishte i organizuar mirë, me role të përcaktuara qartë – nga sigurimi deri te shitja e kokainës dhe marihuanës. Drogat ruheshin në apartamente me qira dhe shiteshin me çmime që varionin nga 4,500 deri në 6,000 denarë për gram kokainë dhe 200 deri në 300 denarë për gram marihuanë. Komunikimi zhvillohej nëpërmjet aplikacionit Snapchat, dhe provat kryesore u siguruan nëpërmjet sistemit të analizës së telefonave celularë “Cellebrite”, një donacion nga Shtetet e Bashkuara.

Kujtojmë se, gjatë dy viteve të fundit para arrestimit, Rade Trajkovski u ka mbijetuar disa tentativa për atentat ndaj tij. Ai ishte qëlluar në një qendër tregtare, ndërsa një mjet shpërthyes ishte hedhur në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen “Qeramidnica” të Shkupit.