Misajllovski dhe homologu i tij nga BeH, Helez: Siguria dhe stabiliteti i rajonit është prioritet absolut

“Jemi të përkushtuar fuqishëm për zhvillimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e mbrojtjes, gjë që tregon besimin e ndërtuar mes dy vendeve tona miqësore”, konkluduan ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe homologu i tij, ministri i Mbrojtjes së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zukan Helez, gjatë takimit të sotëm në Ministri. Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit boshnjak të udhëhequr nga ministri Helez në Ministrinë e Mbrojtjes, transmeton Portalb.mk.

Ministri Misajllovski theksoi se gjëja më e rëndësishme për të dyja vendet është siguria dhe stabiliteti i rajonit, duke vënë në dukje se “kjo është prioritet absolut, duke pasur parasysh se pa të nuk mund të flasim për zhvillimin e asnjë fushe tjetër, përfshirë ekonominë.”

Misajllovski shtoi se vendi ynë është plotësisht i gatshëm të mbështesë Bosnjë dhe Hercegovinën në procesin e integrimit në NATO, duke potencuar se “dy vendet tona janë miqësore dhe duhet të mbështesin njëra-tjetrën për të arritur qëllimin – një të nesërme më të mirë për qytetarët tanë.”

Lidhur me kontributin në misionin e BE-së ALTHEA në Bosnjë dhe Hercegovinë, Misajllovski konfirmoi përkushtimin e vendit tonë, duke informuar se aktualisht 33 pjesëtarë maqedonas janë pjesë e kësaj operacioni.

Në prag të vizitës në Akademinë Ushtarake, ku sot të dy ministrat do të marrin pjesë në orën e parë akademike, Misajllovski tha se përfshirja e më shumë kadetëve nga Bosnja dhe Hercegovina në klasën e re të Akademisë është “një tregues i qartë i synimeve tona të sinqerta për ndërtimin e partneriteteve dhe se besimi i ndërsjellë është në nivelin më të lartë – nga oferta jonë për shkollim, deri te interesimi juaj për të na besuar përgjegjësinë për të formuar liderët e ardhshëm të forcave të armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës.”

Ministri Helez falënderoi për shkollimin e kadetëve nga Bosnja dhe Hercegovina në Akademinë Ushtarake dhe për kontributin e kontingjentit maqedonas në misionin e Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ministri foli edhe për integrimin në Bashkimin Evropian, për të cilin tha se është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të dy vendet tona.

Gjatë takimit, ministrat diskutuan edhe për bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes, si dhe për shfrytëzimin e poligonit “Krivollak”, i cili është një kapacitet i rëndësishëm i Armatës maqedonase.

Në Ministrinë e Mbrojtjes, përveç takimit mes dy ministrave, u zhvillua edhe një takim mes dy delegacioneve, ku mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski..