U sekuestruan 65 kilogram marihuanë në Maqedoninë e Veriut, filloi hetimi për dy të dyshuar

Në lidhje me aksionin e sekuestrimit të 65 kilogramëve marihuanë, Prokuroria Themelore Publike ka filluar hetimet për dy persona të dyshuar. Prokuroria propozoi paraburgim për të dyshuarin e parë, transmeton Portalb.mk.

“Prokuroria kryesore publike e Velesit solli Urdhër për të zhvilluar një hetim kundër dy personave për një vepër penale – Prodhim dhe lëshim i paautorizuar në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve sipas nenit 215, paragrafi 1 i Kodit Penal”, raportoi Prokuroria.

Rreth 65 kilogram marihuanë u sekuestruan në Gradsko, të cilat kundërligjshëm ishin transportuar nga dy të dyshuarit. Njëri i dyshuar është 38 vjeç nga Shkupi, ndërsa tjetri është 55 vjeç nga Kavadari.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 10 mars vendosi të marrë licencat e kultivimit të kanabisit për gjashtë kompani.

Rrjeti serb i trafikut të drogës nga Krushevci ka depërtuar në biznesin legal të kanabisit në Maqedoni shumë më thellë sesa tregojnë gjetjet e publikuara deri tani nga hetimet në lidhje me transportin e paligjshëm të pesë tonëve marihuanë drejt fqinjit verior, zbulon BIRN.