Gjashtë kompani për kultivimin e kanabisit në Maqedoninë e Veriut mbetën pa licenca
Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme vendosi të marrë licencat e kultivimit të kanabisit për gjashtë kompani, transmeton Portalb.mk.
“Në seancën e sotme Qeveria ka shqyrtuar informacionin dhe ka marrë vendim për heqjen e 6 licencave për kultivimin e kanabisit”, raportoi Qeveria e RMV-së.
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, sqaroi që licencat janë marrë për shkak shkeljeve ligjore të konstatuara gjatë një kontrolli të kryer nga Komisioni i cili udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme më 7 shkurt informoi se është duke u zhvilluar një aksion në shkallë të gjerë, në kuadër të të cilit është sekuestruar një sasi e madhe marihuane në Maqedoninë e Veriut. Rreth nëntë ton marihuanë dhe mbi 1,300 shishe vaj kanabisi të prodhuar (gjysmëprodukt) u gjetën dhe u sekuestruan nga një person juridik në Shkup. Mbi 31 ton marihuanë dhe biomasë u sekuestruan nga persona juridikë në rajonin lindor.
Rrjeti serb i trafikut të drogës ka depërtuar në biznesin legal të kanabisit në Maqedoni shumë më thellë sesa tregojnë gjetjet e publikuara deri tani nga hetimet në lidhje me transportin e paligjshëm të pesë tonëve marihuanë drejt fqinjit verior.