U rikthyen dispozitat e fshira nga Kodi Penal i RMV-së që i shpëtonin zyrtarët nga vjedhja, por tani u jepet mundësia për dënim me kusht

Një grup deputetësh të VMRO-DPMNE-së kanë propozuar ndryshime në Kodin Penal që nuk i rikthejnë plotësisht dispozitat e fshira mbi korrupsionin (keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar, si dhe bashkimin kriminal), vendosin dënime më të buta, por prapëseprapë vendosin rregull në dënimet për këto vepra penale. Paraprakisht, në nenin 353, paragrafi 5, kishte të paktën 5 vjet burg dhe kjo vepër penale nuk vjetërsohej ose vështirë vjetësohej. Tani, propozohet nga 4 deri në 10 vjet, gjë që jo vetëm që i jep afat më të shpejtë vjetësimit, por edhe zyrtarët e padënuar mund të shpëtojnë me dënime me kusht, transmeton Portalb.mk.

Këto janë ndryshime ad hoc që Parlamenti duhet t’i miratojë deri në fund të këtij viti, sipas udhëzimeve të Gjykatës Kushtetuese, dhe që nga viti 2023, një Kod i ri Penal është gati në platformën ENER, i përgatitur për 7 vjet nga ekspertë të lartë nën kujdesin e OSBE-së, me të gjitha direktivat evropiane të përfshira në të. Por as qeveria e mëparshme dhe as kjo nuk e miratuan, nuk e votuan.

Atje, veprat penale për korrupsion midis zyrtarëve dhe funksionarëve janë të listuara saktësisht, dhe jo si tani me realizimin e “përfitimit të konsiderueshëm pasuror” dhe pa veprat penale të listuara saktësisht.

Neni 353 ndryshohet dhe thuhet:

“(1) Një zyrtar i cili me shfrytëzimin e pozicionit ose autoritetit të tij zyrtar, me tejkalimin e kufijve të autoritetit të tij zyrtar ose me moskryerjen e detyrës zyrtare, përfiton për vete ose për një tjetër ndonjë përfitim material ose i shkakton dëm një tjetri ose shkel rëndë të drejtat e një tjetri, nëse nuk përmbushen kërkesat ligjore për krim tjetër të rëndë, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

(2) Nëse kryesi i krimit të përmendur në paragrafin (1) të këtij neni përfiton përfitim më të madh material ose shkakton dëm më të madh, ai dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

(3) Nëse kryesi i krimit të përmendur në paragrafin (1) të këtij neni përfiton përfitim të konsiderueshëm material ose shkakton dëm të konsiderueshëm, ai dënohet me burgim nga një deri në tetë vjet.

(4) Dënimi i përmendur në paragrafët (1), (2) dhe (3) të këtij neni do t’i shqiptohet edhe një personi përgjegjës, personi përgjegjës në një person juridik të huaj që ka zyrë përfaqësimi ose kryen aktivitete në Republikën e Maqedonisë së Veriut ose një personi që kryen punë me interes publik, nëse vepra është kryer në ushtrim të një autorizimi ose detyre ligjore.

(5) Një person zyrtar ose përgjegjës i cili, në kundërshtim me ligjin, siguron mallra, shërbime ose punime pa zhvilluar procedurë prokurimi publik në rastet kur ai ka qenë i detyruar të zbatojë ose të bëjë ndryshime në kontratën e prokurimit publik ose marrëveshjen kornizë gjatë vlefshmërisë së tyre në kundërshtim me ligjin mbi pragun e vlerës së përcaktuar me ligj, do të dënohet me burgim nga një deri në tetë vjet, dhe nëse vepra e përmendur në këtë paragraf ka rezultuar në përfitim material në shkallë të gjerë ose dëm material në shkallë të gjerë, kryerësi do të dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.

Ky Ligj hyn në fuqi në ditën e tetë nga dita e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Miratimi i Ligjit nuk ka implikime fiskale në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përveç kësaj, pritet hyrje më e madhe e fondeve në Buxhetin, me zbatimin e institutit penal të konfiskimit të zgjeruar, thonë propozuesit.

Kujtojmë se Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut u vendos përsëri në qendër të vëmendjes nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2025, duke kërkuar hartimin urgjent të një versioni të ri, plotësisht të harmonizuar me acquisin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare.

Pasojat e ndryshimeve në Kodin Penal (KP), të cilat parashikojnë dënime më të ulëta, por edhe vjetërsim më të shpejtë për veprat e keqpërdorimit të detyrës, punë nga pakujdesia dhe bashkimit kriminal, për herë të parë u panë 20 ditë pas miratimit të tyre. Në vend të vitit 2051, lënda për ish-anëtarin e Këshillit Gjyqësor, gjyqtarit nga Tetova Zoran Teofilovski skadoi po atë ditë, i cili gjykohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Me ndryshimet në Kodin Penal, asnjë zyrtar nuk do të përballet me dënim më të lartë se 5 vjet burg, nëse keqpërdorë detyrën. Gjithashtu, të gjitha aktet e shpërdorimit të shërbimit të kryera para vitit 2013 iu nënshtruan vjetërsimit (më parë vjetërsimi absolut ishte 40 vjet, ndërsa tani 10).

Kjo ndikoi më shumë në rastet e ish- Prokurorisë Speciale Publike, “TNT”, “Talir”, “Talir 2”, “Thesari”, “Tarifa”, “Dizajni”, “Toplik”, “Titanik”, “Titanik 2”, “Shkallët spanjolle”, “Target-Fortesa” dhe të tjera.