U publikuan dokumentet gjyqësore për marrëdhëniet e pedofilit Xhefri Epshtajn, përmenden Princi Endrju, Klintoni dhe Trampi

Në ditët në vijim do të publikohen më shumë dokumente, por për momentin ka mbi 900 faqe të publikuara ku përmenden më shumë se 100 persona, ndër të cilët janë princi Endrju, ish-presidentët e SHBA-së, Bill Klinton dhe Donald Tramp, shkruan SDK.

Princi Endrju i Britanisë është ndër emrat e famshëm që përmenden në dokumentet e sapo publikuara të gjykatës për marrëdhëniet e dhunuesit seksual dhe financuesit të të njëjtës, Xhefri Epshtajn. Muajin e kaluar, një gjykatës i Nju Jorkut urdhëroi lëshimin e dokumenteve si pjesë e gjyqit kundër bashkëpunëtores së Epshtajnit, Xhillian Maksuell, e cila u dënua me 20 vjet burg vitin e kaluar.

Përveç princit, përmenden edhe ish-presidentët amerikanë, Bill Klinton dhe Donald Tramp, ndonëse nuk akuzohen për asgjë të paligjshme. Dokumentet e shumëpritura, të cilat mbulojnë mbi 900 faqe, nuk zbulojnë asgjë të re bombastike, por në ditët në vijim duhet të publikohen më shumë dokumente.

Nga më shumë se 100 personat e përmendur, disa janë akuzuar për krime dhe për të tjerët po përgatiten akuza ose janë dëshmitarë të mundshëm. Gjyqtarja Loreta Preska tha se shumë prej këtyre emrave tashmë ishin të njohur për mediat ose gjyqin.

Dokumentet përmendin Johana Sjoberg-un, e cila akuzoi Princin Endrju për prekjen e gjoksit të saj ndërsa ata ishin ulur në një divan në apartamentin e Epshtajnit në Menhetën në vitin 2001.

Në dokumente përmendet edhe Bill Klintoni, megjithëse nuk ka të dhëna se ai ka bërë ndonjë gjë të paligjshme. Sjoberg dëshmoi se Epshtajni një herë i ka thënë asaj se Klintoni donte më të reja, domethënë vajza. Klintoni pati një lidhje me praktikanten 22-vjeçare të Shtëpisë së Bardhë, Monika Leuinski. Maksuell gjithashtu dëshmoi në gjyq se Klintoni ka udhëtuar me avionin privat të Epshtajnit.

“Shërbimi Sekret dha detaje për secilin prej këtyre udhëtimeve,” tha Maksuell në 2019.

Sjoberg përmend gjithashtu Donald Trampin, Majkëll Xheksonin dhe magjistarin Dejvid Kopërfilld, por ata gjithashtu nuk u akuzuan për asgjë të paligjshme.

Epshtajni ishte në pritje të gjyqit federal për pedofili dhe trafikim seksual, kur u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në rrethana misterioze. Vdekja e tij u cilësua si vetëvrasje.