U publikua shpallja për kryetar të ri Antikorrupsionit në RMV
Komisioni Parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet sot publikoi shpallje publike për emërimin e një kryetari dhe anëtari të ri të KSHPK-së, pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovskës, transmeton Portalb.mk.
Kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit Dimitrovska dha dorëheqjen më 25 korrik, dhe më 29 korrik, Parlamenti i Maqedonisë konfirmoi dorëheqjen e saj, pasi Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar ngriti akuza kundër saj për dy vepra penale – për zbulimin e sekreteve zyrtare ish-drejtorit të TEC Negotina, Nebojsha Stojanoviq, i akuzuar në rastin “Aditiv”, dhe për falsifikim kompjuterik sepse një auditor nga Enti Shtetëror i Revisionit kaloi testin e certifikatës së sekretit shtetëror në emër të saj.
Ndërprerja e pozicionit të kryetarit ose anëtarit të KSHPK-së është përcaktuar në Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, sipas të cilit pozicioni përfundon para skadimit të mandatit në rast të – dorëheqjes.
Zgjedhja e një kryetari të ri të KSHPK-së mund të përkojë me shpalljen e zgjedhjeve lokale më 8 gusht, dhe kryetari i Komisionit, Gjorgjija Sajkoski, thotë se do të kërkohet mendimi i KSHPK-së për tejkalimin e kësaj date.
“Është e rëndësishme për ne të respektojmë ligjin, por gjithashtu duam që KSHPK të ketë kryetar sepse në tetor ka zgjedhje lokale”, theksoi Sajkoski.
Aktakuza kundër Dimitrovskës lidhet me rastin “Aditiv“, i cili ka të bëjë me prokurimin e aditivëve me vlerë mbi 6 milionë euro për REK “Manastir”. Veprimi në këtë rast filloi në nëntor të vitit të kaluar, dhe i dyshuari kryesor është ish-drejtori i Elektranave në RMV, Vasko Kovacevski, i cili është ende në arrati.