Saliu: Me automjetin zyrtar isha në gjykatë, e jo në pushime
Ministri pa portofol Shaban Saliu nuk sheh asgjë të diskutueshme në ardhjen në gjykatë me automjet zyrtar. Ai është pjesë e rastit që po drejtohet nga prokuroria për vdekjen e 62 të rinjve në zjarrin në diskoteken Pulse në Koçani, dhe u tha sot gazetarëve se janë ata që po udhëheqin proces gjyqësor kundër tij, raporton Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
“Derisa të dënohem, nuk jam fajtor. Nuk ndiej asnjë faj dhe duhet t’i lëmë gjykatat të marrin vendim dhe të zhvillojnë procedurën”, tha sot ministri pa portofol, përgjegjës për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Romëve 2022–2030, Shaban Saliu, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse ndihet fajtor për rastin e zjarrit në diskoteken Pulse në Koçan, i cili është nën hetim dhe në të cilin është përfshirë edhe ai.
Aktakuza për njërën nga tragjeditë më të mëdha është ngritur tashmë, por ende nuk është pranuar nga gjykata. Saliu përfshihet në të si drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, një pozicion që e mbajti për 9 vjet deri në vitin 2017. Për të janë përcaktuar masa paraprake dhe ai duhet të paraqitet në gjykatë të hënën dhe të premten, si garanci se nuk do të largohet nga vendi.
Ai njoftoi se do të provojë pafajësinë e tij.
Për dy të hëna radhazi, REL e fotografoi atë duke kryer këtë masë me automjetin e tij zyrtar ndërsa shoferi priste në të. Për Saliun, kjo nuk është sjellje korrekte nga gazetarët.
“Nuk është korrekte dhe nuk është fer që gazetarët të zhvillojnë procedurë gjyqësore, sepse ekziston prezumim i pafajësisë. Unë nuk isha me pushime, nuk isha askund, përkundrazi, brenda kuadrit të detyrave të mia, i kreva ato, u paraqita. Jam në punë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 5 të pasdites dhe nuk isha askund jashtë vendit, por isha në gjykatë”, theksoi Saliu.
Përndryshe, Qeveria dy ditë më parë vendosi të shënojë të gjitha automjetet shtetërore me targa të kuqe pikërisht për të parandaluar abuzimet për qëllime private. Deri më 15 shtator, të gjitha automjetet zyrtare do të duhet të jenë të dallueshme dhe qytetarët do të jenë në gjendje të raportojnë abuzime të mundshme.