U prish objekti ilegal në parkingun e bllokut urban 37 në Tetovë (Foto)

Inspektorati Komunal i Tetovës sot ka intervenuar për prishjen e objektit të ndërtuar pa leje në hapësirën e bllokut urban 37, hapësirë kjo e cila është e paraparë të jetë parking. Procedura për prishjen e këtij objekti ishte e komplikuar dhe zgjati rreth nëntë muaj ku kaloi nëpër disa faza deri sa sot u finalizua me rrënimin e objektit, shkruan Portalb.mk.

Hapësira në të cilën gjendej objekti uzurpues është e dedikuar për parking për banorët që jetojnë aty, ndërsa për të njëjtën Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Sot derisa Portalb.mk ishte në terren, me urdhër të Inspektoratit Komunal dhe prezencë të policisë, makineritë punuese intervenonin në largimin e mbetjeve të objektit tani më të rrënuar.

Objekti pa leje në bllokun urban në Tetovë para dhe pas prishjes. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Objekti pa leje në bllokun urban në Tetovë para dhe pas prishjes. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga Inspektorati Komunal na njoftuan se objekti i ndërtuar pa leje është prishur me urdhër të kryetarit të Komunës.

Ndërkaq, në terren takuam edhe pronarin e objektit i cili u ankua se objekti është prishur pa asnjë dokument.

U prish objekti ilegal në parkingun e bllokut urban 37 në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
U prish objekti ilegal në parkingun e bllokut urban 37 në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Procedura për këtë objekt ka filluar që në shtator të vitit 2022 kur Portalb.mk raportoi se pas rregullimit të hapësirës për parking dhe rrënimit të objekteve tjera pa leje në bllokun urban 37 apo e njohur ndryshe si hapësira te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve”, ky objekt i njohur ndryshe si “Çollo mos” kishte mbetur pa prishur. Autoritetet komunale vazhdimisht premtonin për Portalb.mk se ky objekt do prishej por që duhej të kalonin procedurat e parapara. Fillimisht, Këshilli Komunal me 28 shkurt 2023 vendosi që mos t’i jep leje për legalizim të njëjtit dhe aty të mbetet parking. Mirëpo ky objekt ishte legalizuar në vitin 2017 nga këshilli i atëhershëm komunal, por më 8 qershor 2023, këshilli aktual i Komunës e shfuqizoi vendimin për legalizim dhe në fuqi mbeti vendimi për prishjen e objektit dhe aty të mbetet parking. Për këtë vendim, pronari është ankuar në shkallën e dytë. Por, sot objekti u prish.

Përndryshe, ky është plani i komunës për parkingjet në këtë hapësirë që përfshin edhe hapësirën ku ishte ky objekt.