Ju keni fituar njohuri dhe aftësi të denja për një oficer të vërtetë të NATO-s, u tha Petrovska klasës së re të nëntogerëve

Në akademinë ushtarake “Mihajllo Apostollski”, në promovimin e klasës së 23-të të nëntogerëve, sot u ndanë çmimet për 3 më të mirët. Ministrja Sllavjanka Petrovska deklaroi se patriotët e vërtetë janë ata që kanë vendosur që karrierën e tyre të punës t’ia kushtojnë mbrojtjes së qytetarëve të tyre dhe të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes dhe sigurisë kolektive, raporton Portalb.mk.

“Falë programeve bashkëkohore të studimeve, në përputhje me parimet e edukimit ushtarak të NATO-s, mundësisë për shkëmbim të stafit pedagogjik dhe kadetëve përmes Erasmus Plus programit si dhe përmes bashkëpunimit bilateral të mbrojtjes me aleatët tanë, ju patët mundësi të fitoni njohuri dhe aftësi, të vlefshme për një oficer të vërtetë të NATO-s. Ju sot, qëndroni këtu para nesh pikërisht për shkak të vendosmërisë tuaj, gati për të vazhduar dhe për të arritur qëllime më të larta. Ju jeni patriotët e vërtetë, ju që keni vendosur t’ia kushtoni karrierën tuaj të punës mbrojtjes së qytetarëve tuaj dhe shumë më tepër se kaq, në mënyrë aktive të merrni pjesë në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë kolektive të NATO-s, si oficerë të vendeve anëtare dhe vendeve partnere të Aleancës.” , tha Petrovska.

Petrovska, gjithashtu tha se është sukses që me vite të tëra në Akademinë Ushtarake janë shkolluar edhe oficerë nga vendet e rajonit.

“Sot përveç 27 togerëve të rinj nga ushtria maqedonase, kemi edhe pesë nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Por, gjatë shkollimit, dy prej jush patën mundësi të studiojnë në Mbretërinë e Norvegjisë për një semestër, si dhe në Akademinë tonë, për një semestër u shkolluan edhe kadetë nga Mbretëria e Norvegjisë dhe Republika e Bullgarisë.”, theksoi ministrja e mbrojtjes.

Në ceremoninë foli edhe i pari i gjeneratës Nikolla Anteski, i cili ndau përvojën e tij që nga fillimi i Akademisë Ushtarake, ku kanë filluar me stërvitjen bazë ushtarake si një proces rigoroz, test i qëndrueshmërisë fizike dhe mendore.

Toger në Akademinë Ushtarake "Мihajllo Apostollski", foto nga faqja zyrtare e akademisë ushtarake
Toger në Akademinë Ushtarake “Мihajllo Apostollski”, foto nga faqja zyrtare e akademisë ushtarake

“Ishim të shtyrë përtej kufijve tanë, u përballëm me pengesa që dukeshin të pakapërcyeshme. Por, ne qëndruam të bashkuar, mësuam kuptimin e vërtetë të komunitetit dhe forcës që vjen nga të punuarit së bashku si ekip. Pikërisht në këto momente ne zbuluam rezervuarët tanë të brendshëm të forcës dhe qëndrueshmërisë. Lidhja që krijuam që nga ditët e para, u bë baza e miqësive të përjetshme. Të gjithë ne ishim mbështetja më e madhe e njëri tjetrit në kohë trishtimi dhe lumturie. Ne patëm mundësi që në 4 vitet e fundit të jetojmë dhe punojmë me kadetë që nuk mbajnë të njëjtin flamur sikur ne në mëngë, por, te ata fituam miq të sinqertë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi ”, tha Anteski.

Dekani i Akademisë Ushtarake, koloneli Mitko Bogdanovski, tha se Akademia Ushtarake është një institucion i shenjtë që ka krijuar gjenerata që kanë përballuar dhe tejkaluar shumë konflikte, kriza dhe fatkeqësi natyrore.