Kasami u zotua se do të rrënohet edhe objekti i fundit i mbetur në hapësirën publike në bllokun 37

Në parkingun e banesave në bllokun urban 37 në Tetovë, vend i cili u rregullua nga Komuna e Tetovës  ende nuk është prishur objekti i fundit ilegal që zë hapësirën publike. Kjo hapësirë është e paraparë të jetë për parking. Në redaksinë e Portalbit banorët e këtij blloku shfaqin dyshimin e tyre se pse i njëjti nuk po prishet tani e dy muaj? I pyetur për këtë çështje, kryetari i Komunës së Tetovës për Portalb.mk tha se edhe ai objekt do të prishet kur të mbarojnë procedurat administrative, duke mos dhënë afat konkret.

Para disa javëve hapësira në bllokun urban 37 apo e njohur ndryshe si hapësira te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve” kishte pamje ndryshe, ishte e uzurpuar dhe kishte një rrugë në të cilën hyje dhe mezi dilje. Por, komuna i largoi uzurpatorët dhe këtë hapësirë publike e riktheu në parking për banorët e bllokut, kërkesë kjo e kamotshme e tyre.

Megjithatë, aty mbetet një objekt i cili nuk është prishur ende, edhe atë mu në qosh të bllokut. Sipas planit të Komunës, parkingu i ri e kap edhe këtë hapësirë në të cilën ndodhet objekti ilegal.

Ky është plani i komunës për krijimin e parkimeve në këtë hapësirë:

Foto: Komuna e Tetovës
Foto: Komuna e Tetovës
Foto: Komuna e Tetovës

Për këtë problem, për redaksinë e Portalbit banorët nga ky bllok u ankuan se lirimi i hapësirave publike është bërë në mënyrë selektive dhe se objekti i fundit mbetet pa larguar përderisa tjerët janë prishur.

“Më shumë se mungesa e drejtësisë, pengon padrejtësia, ndërsa ende më shumë pengon drejtësia selektive. Nëse prishet dhe rregullohet, patjetër se ky rregull duhet të vlejë për të gjithë! Por, pasi kryetari i komunës shitet si fetar e besimtar t’iа përkujtojmë se, ndoshta ligji dhe institucionet në këtë botë nuk funksionojnë, por haku i të dëmtuarve bartet edhe në botën tjetër dhe atje ligjit nuk i ik askush” u shpreh për Portalb njëri nga banorët e ndërtesave të këtij blloku.

Bëhet fjalë për objektin në fotografinë e mëposhtme:

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Portalb pyeti kreun e Komunës së Tetovës se përse ky objekt nuk është prishur ende. Kryetari i Komunës, Bilall Kasami tha se kjo do të ndodhë sa të kryhet procedura administrative.

“Bëhet fjalë për procedurë administrative, çështjen e objektit e dërguam në këshill dhe kaloi në këshill që të prishet. Por, janë procedura të ankimimeve dhe kështu me radhë, në moment kur do të bëhet e plotfuqishme edhe ai objekt do të prishet”, tha Kasami.

Gazetari i Portalb: Do të prishet?

Kasami: Patjetër.

Në këtë hapësirë sipas planit të Komunës në fazën e parë në plan ishin krijimi i 56 vendeve të parkimit dhe në fazën e dytë 26 vende parkimi. Përveç vendeve të parkimit, në këtë hapësirë sipërfaqja është shtruar me pllaka begatoni.

Për objektin e njëjtë, banorët edhe gjatë muajit tetor e ngritën shqetësimin se nuk do të prishet, ndërkaq komuna edhe asokohe tha se projekti për parkingje do të realizohet sipas planit.

This slideshow requires JavaScript.

Përndryshe, qytetarët të cilët jetojnë në këtë hapësirë vetëm pak ditë përpara se të fillonin punime në këtë hapësirë për Portalb ngritën problemet me infrastrukturën dhe parkingjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button