Rruga te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve” në Tetovë e shkatërruar plotësisht, banorët propozojnë zgjidhje, komuna i injoron kërkesat dhe hesht

Ndonëse gjendet në mes të qytetit, Rruga pas bulevardit “Iliria” e njohur ndryshe si te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve” në Tetovë me vite është e lënë pa përkujdesje. Infrastruktura e dobët rrugore dhe mungesa e parkingjeve janë dy problemet kryesore që banorët që jetojnë aty përballen çdo ditë. Ata kërkojnë nga komuna zgjidhje, por kjo e fundit nuk e pa të arsyeshme të përgjigjet për hallin e këtyre banorëve, shkruan Portalb.mk.

Banorët shprehen se në çdo cikël zgjedhor premtohet se do të rregullohet situata me rrugën dhe parkingun në lagjen e tyre, e cila gjendet vetëm disa metra nga bulevardi kryesor i qytetit “Iliria”.

Ata madje thonë se edhe kryetari aktual i komunës e ka premtuar të njëjtën, por nuk kanë shpres, pasi deri më tani asgjë konkrete nuk është ndërmarrë.

“Rruga është e shkatërruar dhe me gropa, ndërsa kur bie shi shndërrohet në përrua. Përveç kësaj vend-parkingje për banorët e banesave nuk ka, pasi jo vetëm që nuk janë të shënuara aspak, por këtu vijnë e parkohet i gjithë qyteti dhe bëhet rrëmujë e madhe, shpesh rrezikohet edhe siguria e këmbësorëve, sidomos e fëmijëve”, sqaron një banor i kësaj lagjeje.

“Me vite përballemi me këto problem, siç e shihni eve vet tollovi me vetura dhe rruga katastrofë. Ata që i votojmë na harrojnë sa mbarojnë zgjedhjet, kërkojmë zgjidhje”, tha një banore.

“Këtu te ne është kaos. Nuk ka parkingje, rruga e ngushtë, me begatona të shkatërruar edhe me gropa. Mos dhashtë zoti të ndodhë ndonjë fatkeqësi e të ndërhyjë ndihma e shpejtë, sidomos gjatë mbrëmjeve të vikendit, është katastrofë pasi bllokohet rruga nga veturat parkohen pasi ka lokale përreth. Apo njëjtë ndonjë zjarr, pasi nuk kanë nga të hyjnë zjarrfikësit”, tha një banor tjetër.

Ata madje kanë edhe propozime konkrete për autoritetet pasi që, sipas banorëve, shpesh shërbimet komunale e paraqesin si problem të pazgjidhshëm, ndërkohë që kërkon vetëm vullnet dhe punë. Zgjidhja do të dukej në këtë formë thonë ata:

  • “Të paralajmërohen banorët e lagjes dhe të ndalet qarkullimi për një afat kohor të nevojshëm për ta rregulluar dhe shtruar rrugën;
  • Të shtrohet dhe restaurohet rruga, të shënohen vendet e parkimit;
  • Të caktohet si zonë parkimi vetëm për banorët e banesave për rreth (asgjë e re apo e komplikuar. Në këtë mënyrë janë rregulluar parkingjet edhe ne Shkup)
  • Shërbimet e qytetit (“merimangat”) kujdesen që mos parkohen vetura tjera, në këtë mënyrë do të vendoset rregull dhe do të rritet siguria”.

Por, Komuna e Tetovës ndonëse përgjegjëse për këto punë, nuk e pa të arsyeshme të përgjigjet në pyetjet gazetareske për hallet e këtyre banorëve dhe nëse të njëjtat janë në listë për t’u zgjidhur.

Ndryshe, Komuna e Tetovës për Portalb.mk në muajin korrik njoftoi se pikërisht në këtë rrugë, pas hamburgerisë “Tajo” ishte paraparë parking zonal, ku aso kohe thanë se janë në pritje të inspektoratit për mënjanimin e pengesave, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button