U përurua gjenerata e parë e nxënësve Shkollën digjitate të Matematikës “Digitime”, u ndanë certifikata dhe çmime për talentët e rinj
Në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup sot u përurua gjenerata e parë e nxënësve të cilët kanë ndjekur mësimin në Shkollën e Matematikës “Digitime”, shkolla e parë virtuale në Maqedoninë e Veriut, njofton Portalb.mk. Për nxënësit u ndanë certifikata ndërsa për për talentët e rinj të matematikës, u ndanë dhe dhurata të siguruara nga Fondacioni Metamorfozis.
Drejtoresha e Digitime, Vlora Ademi në fjalën e saj tha se synojnë që përmes këtij programi të fuqizojnë një brez të ri liderësh dhe inovatorësh, që ata të jenë krijues të teknologjisë së ardhshme e jo vetëm përdorues të saj.
“Ishte një dëshirë personale për të ndihmuar fëmijët që të kenë një platformë, ku ata do të ndihen të frymëzuar, të sfiduar dhe të mbështetur, që ata të jenë krijues të teknologjisë së ardhshme e jo vetëm përdorues të saj”, tha Vlora Ademi.
Bardhyl Jashari, drejtor i Fondacionit Metamorphosis përkrahës Shkollës së Matematikës “Digitime” në fjalën e tij tha se do të mundohen që të krijojnë gjenerata të reja të cilët do e formësojnë shoqërinë tonë, ashtu që bëhet një shoqëri më e mirë.
“Matematika është gjuhë e univerzit, gjuha e natyrës dhe duke e përvetësuar matematikën, ju përvetësoni shkathtësi për të zgjedhë probleme. Matematika paraqet bazën për secilin zhvillim, si zhvillimin personal ashtu edhe zhvillimin shoqëror dhe inovacion në shoqëri. Me iniciativa të tilla ku të rinjët, fëmijët mund të pasurohen me njohuri, sidomos me njohuri të cilët janë në një farë mënyre themel, e gjithçka që është inovative në shoqëri matematika”, tha Jashari.
Besir Dernjani, drejtor i Fondacionit Albiz në fjalën e tij tha se qëllimi i tij është që së bashku ti mbështesin talentët e rinj.
“E përgëzoj Vlorën, për shkak se është një shenjë suksesi, që kjo gjeneratë të bëhet gjenerata nga e cila pas 15 viteve të shohim efektet e kësaj që sot jemi këtu”, tha Dernjani.
Këtë shkollë e ndjekin filloristët nga klasa e dytë deri në vitin e parë, për më të mirët të cilët sot iu nënshtruan testit përfundimtar u ndanë mirënjohje dhe çmime.
Për të gjithë grupmoshat u ndanë mirënjohje, dhe u ndanë nga tre çmime: çmimi i parë, çmimi dyti dhe çmimi i tretë.
Të kënaqur u shprehën edhe prindërit e fëmijëve që kanë ndjekur kursin në kohëzgjatje prej 7 javësh.
Në këtë shkollë janë të angazhuar profesor të dalluar të matematikës, të cilët përveç njohurive që u japin, ua nxisin dhe dashurinë për këtë lëndë.
Digitime përkrahet nga Fondacioni Metamorphosis, Fondacioni Albiz dhe nga Univerziteti i Evropës Juglindore.