Bardhyl Jashari në OpenMic: Pjesë e misionit të Metamorfozis është që mediat tona të shërbejnë në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve
Në episodin e tetëmbëdhjetë të OpenMic në Portalb.mk flasim me drejtorin ekzekutiv të Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” Bardhyl Jasharin.
Këtë vit Metamorfozis shënoi 20 vjetorin e ekzistencës, andaj me atë biseduam për të gjithë këtë rrugëtim, sfidat, arritjet, mediat, aktivizmin qytetar, mediat, dezinformatat dhe shumë të tjera.
Jashari foli për fillimet e Metamorfozis dhe sfidat që ka kaluar ndër vite kjo organizatë, ai potencoi se sfidat kanë qenë nga më të ndryshmet të cilat kanë ndryshuar në varësi të zhvillimit teknologjik.
“Në fillim kur filluam 2005 me Fondacionin Metamorfozis në vitin atëherë interneti nuk ishte shumë i zhvilluar, domethënë qasja në internet ishte shumë e vogël, e mbaj mend që atëherë bëmë hulumtimin e parë ku hulumtuam sa përdoret interneti dhe ku përdoret, dhe ishte diku prej 4 deri në 5 përqind e popullatës në Maqedoni që e përdorte internetin dhe kjo në atë kohë ishe sfida kryesore që qytetarët në vendin tonë t’i qasen internetit, kjo ishte sfida e parë dhe me këtë u morëm jashtëzakonisht shumë”, tha Jashari.
Ai tha se nëse përdorimi i teknologjisë dhe internetit bëhet në mënyrë të përgjegjshme, atëherë qytetarët mund t’i shohin anët e mira, në të kundërtën pasojat janë të këqija.
Një nga momentet më të vështira në të cilat ka kaluar Metamorfozis, siç tha Jashari ka qenë periudha e regjimit të qeverisë së Nikolla Gruevskit ku bëheshin presione ndaj organizatave joqeveritare.
“Edhe Fondacioni Metamorfozis ishte si me thënë pjesë e asaj kampanjës anti shoqëri civile, kishim presione nga më të ndryshmet mirëpo duke e falënderuar transparencës tonë, punën tonë profesionale nuk flas personalisht për mua por flas për të gjithë ekipin tim, i kaluam pa asnjë problem për arsye se nuk kishte asnjë arsye as ligjore as morale as tjetër për ta vendosur Metamorfozis në pozitë të vështirë, mirëpo pa marrë parasysh për ne si të punësuar këtu për kolegët e mi ishte një periudhë shumë e vështirë”, tha Jashari.
Në kuadër të Metamirfozit funksionojnë edhe tre media: Portalb.mk, Meta.mk dhe Vërtetmatës.mk, Jashari foli edhe për këtë pjesë ku nënvizoi se përmes tyre Metamorfozi ndikon konkretisht në shoqëri.
“Këta janë tre prej shumë sajteve të cilat në njëfarë mënyre kontribuojnë direkt në pasurinë me përmbajtje me përmbajtje mediatike të cilat nuk janë as showbiz as skandaloze por janë shumë konkrete dhe merren me probleme të përditshmërisë së njerëzve, mundohen ata që punojnë drejtpërdrejtë por kjo është pjesë e misionit të Metamorfozis që mediat tona të shërbejnë në zgjedhjen e problemeve dhe të jenë të dobishëm për lexuesin”, tha Jashari.
Për fund ai porositi se në momentin kur vërejmë se diçka nuk shkon dhe dimë më mirë, duhet të veprojmë.
“Të mos mbetet vetëm në nivel të fjalëve por të shndërrohet në vepër, mendoj se hapi i parë për gjithçka është të nisim të veprojmë për arsye se nëse edhe ideja më e mirë edhe gjeniu më i madh nëse atë dije atë ide nuk e shndërron në diçka konkrete në vepër është e kotë, sidomos kjo vlen për të rinjtë të cilët mendoj se tash janë më të guximshëm se gjeneratat tona”, theksoi Jashari.
Për më tepër ndiqeni episodin e plotë.