U ndanë çmimet për pjesëmarrjen rinore për vitin 2026
Andrej Rajatoski, shoqata “Të rinjtë nga familje të ndryshme“ dhe “Pionierët e Gjelbër“ janë fituesit e Çmimeve për Pjesëmarrjen Rinore për vitin 2026, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë – 12 Gushtit. Çmimet u ndahen të rinjve, organizatave rinore dhe individëve që me aktivitetet, iniciativat dhe përkushtimin e tyre kontribuojnë në ndryshime pozitive në komunitet, transmeton Portalb.mk.
Në kategorinë “Organizata rinore, organizata të të rinjve dhe organizata ombrellë rinore“, çmimi iu dha shoqatës “Të rinjtë nga familje të ndryshme“, për punën e tyre me të rinjtë nga prejardhje të ndryshme familjare, si dhe për kontributin në krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse përmes mbështetjes psikosociale dhe juridike, ngritjes së ndërgjegjësimit publik dhe luftës kundër diskriminimit.
Në kategorinë “Grupe joformale të të rinjve“, çmimi iu dha “Pionierëve të Gjelbër“ nga Manastiri, të cilët përmes iniciativave “Eko Roze“ dhe “Eko Via“ punojnë për ripërdorimin dhe riciklimin e tekstileve dhe mbetjeve të tjera. Gjatë viteve 2025 dhe 2026, aktivitetet e tyre kanë përfshirë më shumë se 450 të rinj.
Për herë të parë këtë vit u nda edhe Çmimi për partnerët e të rinjve në kategorinë “Nëpunës për të rinjtë“, me të cilin vlerësohet roli i profesionistëve në institucione, të cilët krijojnë ura mes të rinjve dhe institucioneve dhe kontribuojnë që idetë e tyre të shndërrohen në politika dhe aktivitete konkrete. Çmimi iu dha Vlladimir Smilevskit, nëpunës për të rinjtë në Komunën e Velesit.
Fitues i Çmimit për Pjesëmarrjen e të Rinjve për vitin 2026 në kategorinë individuale, e cila këtë vit i kushtohet të rinjve dhe sigurisë, është Andrej Rajatoski. Në këtë kategori vlerësohen të rinjtë që kontribuojnë në parandalimin e dhunës, ndërtimin e urave mes komuniteteve dhe krijimin e komuniteteve më të sigurta, më kohezive dhe më rezistente.
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, theksoi se të rinjtë nuk duhet të shihen vetëm si e ardhmja e shoqërisë, por si pjesë e rëndësishme dhe aktive e saj sot.
“Kur i dëgjojmë të rinjtë, krijojmë politika më të mira. Kur i përfshijmë në proceset e vendimmarrjes, marrim vendime më cilësore. Ndërsa kur investojmë tek ata, investojmë në të ardhmen e gjithë shoqërisë“, tha Vellkovski.
Nga Këshilli Nacional Rinor i Maqedonisë u theksua se, pavarësisht ekzistimit të një kornize ligjore dhe mekanizmave për pjesëmarrjen e të rinjve, sfidë mbetet kalimi nga pjesëmarrja formale në atë thelbësore.
“Jo vetëm t’u themi të rinjve se i dëgjojmë, por kjo të shihet në vendimet, politikat, mundësitë dhe buxhetet që krijojmë“, u shpreh Ivona Kuzmanovska, kryetare e KRNM-së.
Suzan Penksa, zëvendës-shefe e Misionit të OSBE-së në Shkup, theksoi se të rinjtë nuk janë vëzhgues pasivë, por partnerë të pazëvendësueshëm në avancimin e paqes dhe sigurisë. Ajo shtoi se institucionet kanë përgjegjësi të përbashkët për të krijuar mekanizma të hapur, të sigurt dhe gjithëpërfshirës për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e tyre thelbësore.
Ngjarja u organizua nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në partneritet me Këshillin Nacional Rinor të Maqedonisë (KRNM), Misionin e OSBE-së në Shkup dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.