U mbyll edicioni i tretë i fotografisë ‘Fotoist’, fotografia si akt kujtese dhe rezistence

Nën moton “Endurance/Qëndresa” në Prishtinë u përmbyll edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë ‘Fotoist’. Një javë e mbushur me art, emocione dhe reflektime mbi fuqinë e imazhit si dëshmi dhe mjet ndërgjegjësimi, shkruan Portalb.mk.

Nga kujtimet e luftërave të harruara deri te plagët ende të hapura të Ballkanit, nga lotët e fëmijëve refugjatë deri te qëndresa e natyrës përballë krizës klimatike çdo ekspozitë përcolli një rrëfim të veçantë përmes gjuhës universale të fotografisë.

Ky edicion bashkoi emra të njohur të fotografisë botërore si Ron Haviv, Osman Demiri nga Maqedonia e Veriut, Agron Dragaj, Eric Bouvet, Ziyah Gafic, Tomas van Houtryve e shumë të tjerë, duke e shndërruar festivalin në një mozaik emocionesh, kujtimesh dhe reflektimesh njerëzore.

Fotografi Osman Demiri për Portalb.mk tha se përmes fotografive të tij, ka tentuar të kap momentet e pafajësisë, frikës dhe guximit të atyre fëmijëve, që përkundër realitetit të ashpër, ruanin një dritë të brendshme, një shpresë që nuk shuhet.

“Ekspozita në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografise Fotoist në Prishtinë, ishte një eksperiencë e veçantë, sepse mora pjesë me cilkin e fotografive të kampit të Çegranit 1999, të titulluar “Fëmijët e Luftës”. Faktikisht prezentova jetën e këtyre fëmijëve në kamp, si shpresë e vetme e kosovarëve të cilët i kishin humbur shpresat në përgjithësi. Përkrah kësaj ekspozite kishte edhe shumë ekspozita tjera nga autorë të njohur shqiptar dhe botëror. Publiku në Prishtinë e priti ekspozitën me shumë interes dhe emocione, duke u ndalur gjatë para secilës fotografi për të lexuar historinë që ajo përcillte. Shumë vizitorë, sidomos ata që kishin përjetuar periudhën e luftës, e ndjenin ekspozitën si një rikthim në kujtesë, por edhe si një dëshmi të forcës njerëzore për të mbijetuar dhe për të mos harruar”, tha Demiri.

Pamje nga cilki i fotografive të kampit të Çegranit 1999, të titulluar "Fëmijët e Luftës". Foto: Osman Demiri
Pamje nga cilki i fotografive të kampit të Çegranit 1999, të titulluar “Fëmijët e Luftës”. Foto: Osman Demiri

Ky festival dëshmoi se fotografia nuk është thjesht dokumentim, por kujtesë e gjallë, ndërgjegjësim kolektiv dhe shenjë e qëndresës njerëzore. Edicioni i sivjetshëm u mbyll me një mesazh të fortë: të mos harrojmë, të mos heshtim dhe të vazhdojmë të besojmë në fuqinë e njeriut për ta ndriçuar errësirën.

Festivali u mbështet nga The VII Foundation, OSBE, Handikos, Dokufest, Pro Peace, Barabar Center, Artistët për Artista, Galeria e Fakultetit të Arteve, Biblioteka Kombëtare, Heritage Space dhe partnerë të tjerë, duke e kthyer këtë ngjarje në një platformë ndërkombëtare që bashkoi artistë, gazetarë, studiues dhe publik të gjerë në dialog për të kaluarën, të tashmen dhe përgjegjësinë ndaj së ardhmes.

Pamje nga cilki i fotografive të kampit të Çegranit 1999, të titulluar "Fëmijët e Luftës". Foto: Osman Demiri
Pamje nga cilki i fotografive të kampit të Çegranit 1999, të titulluar “Fëmijët e Luftës”. Foto: Osman Demiri