Kuvendi nuk e votoi Qeverinë Kurti 3
Kuvendi i Kosovës nuk e ka zgjedhur Qeverinë e re në krye me Albin Kurtin. Kjo ishte hera e parë që një mandatar për kryeministër dështon në votim, transmeton Portalb.mk.
Propozimi për Qeverinë Kurti 3 nuk arriti të sigurojë 61 vota, për votuan 56 deputetë, 52 votuan kundër dhe 4 abstenuan.
Kryetari i Kuvendit Dimal Basha ka thënë se tani përgjegjësia kalon te presidentja Vjosa Osmani për të emëruar mandatarin e ardhshëm.
Gjatë prezantimit të programit, mandatari Albin Kurti ka thënë se nuk ka arritur marrëveshje me asnjë parti tjetër për bashkëqeverisje.
Ai ka kërkuar votën nga partitë tjera për të “vazhduar qeverisjen e mirë” ku edhe i tregoi emrat e 20 ministrave me të cilët synonte të siguronte shumicën.
Pritet që presidentja Vjosa Osmani të mbledhë liderët e partive dhe të konstatohet nëse ka ndonjë shumicë, apo duhet të shkohet në zgjedhje.
Kushtetuta e Kosovës përcakton se nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar qeverinë..
Megjithatë, pas dështimit të sotëm, partitë opozitare kanë thënë se nuk do ta bëjnë shumicën dhe se vendi duhet të bëhet gati për zgjedhje.
Seanca e jashtëzakonshme për për zgjedhjen e Qeverisë së re u thirr për sot, 26.10.2025, në orën 10:00, kjo ishte dita e fundit e afatit 15-ditor për formimin e Qeverisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.10.2025 i dha mandatin Albin Kurtit për formimin e Qeverisë së re në vend.
Zjedhjet për Kuvendin e Kosovës janë mbajtur më 09.02.2025, me ç’rast LVV ka fituar 48 mandate në Kuvend, PDK 24, LDK 20, AAK 5, NISMA 3, pakicat joserbe 10 dhe pakicat serbe 10 mandate të tjera.