U jepte cigare elektronike fëmijëve në çerdhe, Prokuroria e Velesit hapi lëndë kundër kujdestares

Pas disa ditësh pretendimesh në media se një kujdestare në kopshtin e Velesit “Dimçe Mirçev” u ka dhënë fëmijëve të grupit të saj cigaren e saj elektronike, Prokuroria Themelore Publike (PThP) Veles ka hapur lëndë pas zërave mbi këtë rast, transmeton Portalb.mk.

“Për të hetuar shkaqet e mundshme të dyshimit për veprën penale të moskujdesit dhe keqtrajtimit të fëmijëve, prokurori publik kompetent ka lëshuar urdhra dhe udhëzime për Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë veprime që përfshijnë zhvillimin e bisedave me punonjësit dhe prindërit të cilët mund të kenë njohuri të caktuara për ngjarje”, thekson Prokuroria.

Një pjesë e mediave raportoi se një kujdestare në kopshtin “Dimçe Mirçev” në Veles u ka ofruar cigaren elektronike fëmijëve të grupit të saj. Pas akuzave të tilla, drejtoresha e çerdhes, Maja Velinova, bën të ditur se kujdestarja është suspenduar, ndërsa ndaj saj është iniciuar procedurë disiplinore.