U gjet një trup i pajetë në lumin Vardar

Një trup i pajetë u nxor nga lumi Vardar pranë fshatit Ulancë në komunën e Gradskos, pasi një banor raportoi se kishte parë një kufomë në ujë dje pasdite, rreth orës 14:30. Një ekip nga Departamenti Territorial i Zjarrfikësve të Velesit shkoi menjëherë në vendngjarje dhe e nxori trupin në breg, transmeton Portalb.mk.

Trupi iu dorëzua shërbimeve kompetente për procedura të mëtejshme, dhe rasti u mor menjëherë nga prokuroria.

Prokurorja publike nga Prokuroria Publike e Velesit, Cvetanka Bogoevska, konfirmoi për mediat se po kryhen të gjitha veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe identitetin e personit, trupi do të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Shkup.

Organet hetimore po punojnë për të përcaktuar rrethanat në të cilat trupi përfundoi në lumë.