U ftuan qytetarët e RMV-së që sa më shpejtë të kontaktojnë me Ambasadën në Abu Dabi
Ministria për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme ka kërkuar nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut që sa më shpejtë të kontaktojnë me Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Abu Dabi në lidhje me evakuimin, transmeton Portalb.mk.
“Të gjithë qytetarët që janë të interesuar për evakuim dhe ende nuk janë regjistruar, inkurajohen të kontaktojnë Ambasadën në Abu Dhabi sa më shpejt të jetë e mundur përmes kontakteve të mëposhtme: telefoni +971 56 441 7532 dhe e-mail [email protected]”, raportoi Ministria.
Maqedonia e Veriut është duke punuar me Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas Ministrisë, që të finalizon detajet rreth organizimit të fluturimeve komerciale për shtetasit e Maqedonisë së Veriut.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme sot (3 mars) informoi se po zhvillohen plane për kthimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga Izraeli nëpërmjet Egjiptit, duke përdorur fluturime komerciale dhe, nëse është e nevojshme, siç thuhet, aeroplan qeveritar. Për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, po shqyrtohet mundësia e angazhimit të një fluturimi komercial ose çarter, varësisht nga kushtet e sigurisë dhe logjistike. Deri më tani janë paraqitur rreth 500 shtetas.
Ndryshe në Maqedoni më 1 mars u mblodh Këshilli i Sigurisë, pas çka u konstatua se situata aktualisht është e qëndrueshme dhe e sigurt.
Mëngjesin e 28 shkurtit Izraeli filloi sulmin ndaj Iranit, ndërsa më pas u bashkëngjitën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sulmet nisën teksa bisedimet mes Washingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor të Iranit kanë qenë në vazhdim nën ndërmjetësimin e Omanit, raundi i fundit i bisedimeve në përfundoi të enjten në Gjenevë.