U arrestua polici pasi mori 2000 denarë ryshfet nga qytetari për të nxjerrë një dokument

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj një të punësuari në Polici për shkak dyshimeve për marrje ryshfeti gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit” në bazë të nenit 353 të KP-së, i cili ka kërkuar ryshfet prej 2000 denarëve nga personi për ti lëshuar dokument për vendqëndrim të përkohshëm, edhe pse më herët personi në mënyrë të rregullt ka kryer pagesën për të i lëshuar dokumenti”, raportoi Policia.

Në lidhje me këto dyshime, i dyshuari I.F. është arrestuar më 30 nëntor, ndërsa kallëzimi penal procedohet në PTHP Shkup.

“Kurse nga ana e Departamentit për Kontrollë të Brendshme, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale do të parashtrohet propozim për procedure disiplinore dhe largim nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës”, raportoi Policia.