Deri më 15 qershor, studentët e Maqedonisë së Veriut mund të aplikojnë për zhvillimin e semestrit dimëror në ndonjë vend tjetër

Studentët e Maqedonisë së Veriut nga shtatë universitetet e ndryshme do të mund të ndjekin semestrin dimëror në ndonjë universitet evropian për vitin e ardhshëm akademik 2023/24, transmeton Portalb.mk.

“Programi (CEEPUSIII- Central European Exchange Program for University Studies) u mundëson institucioneve të arsimit të lartë të marrin pjesë si partnerë në gjithsej 108 rrjete nga fusha të ndryshme. Në kuadër të këtyre rrjeteve, studentët dhe profesorët e ciklit të parë, të dytë dhe të tretë kanë mundësi të aplikojnë për bursa për qëndrim studimor jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut”, paralajmërojnë nga Ministria.

Në këtë Program janë përfshirë Republika e Shqipërisë, Austrisë, Bullgarisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kroacisë, Çekisë, Hungarisë, Malit të Zi, Polonisë, Moldavisë, Rumanisë, Serbisë, Sllovakisë, Sllovenisë dhe Kosovës.

“Programi ka për qëllim të promovojë lëvizshmërinë e studentëve dhe kuadrit  mësimdhënës dhe bashkëpunimin dhe zhvillimin e programeve të përbashkëta që çojnë në diploma të përbashkëta. (Joint degree)”, sqarojnë nga Ministria.

Këtë konkurs do të mund ta shfrytëzojnë studentët e universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, “Shën Klimenti i Ohrit”, “Goce Dellçev”, Universiteti i Tetovës, “Shën Apostul Pavle”, “Nënë Tereza” dhe “Kolegji Amerikan”. Aplikimi bëhet onlajn KËTU.

“Afati i fundit për  aplikim për semestrin dimëror në vitin akademik 2023/2024 është 15 qershor 2023, ndërsa për semestrin veror në vitin akademik 2023/2024 është 31 tetor 2023”, paralajmërojnë nga Ministria.