U anulua seanca për Muhamed Zekirin, dëshmitarët nuk u paraqitën në Gjykatë

Është anuluar senca për procesin gjyqësor ku ish sekretari i Qeverisë, Muhamed Zekiri akuzohet se ka lidhur kontrata për shërbime konsulente për analizimin e situatave në postë dhe hekurudha, pa procedurë për prokurim publik dhe me këtë, sipas Prokurorisë, e ka “keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar”. Shkak për anulimin e seancës është bërë mos-ardhja e dëshmitarëve Goran Anastasieviq dhe Bisera Zekiri, të cilët duhet të dëshmonin, njofton Portalb.mk.

Prokuroria e akuzon Zekirin se në periudhën nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence me një kompani me vlerë totale prej gati një milion euro, gjegjësisht janë paguar 147.000 euro më shumë se 795.000 të rënë dakord paraprakisht.

Ai po ndiqet penalisht për lidhjen e dy kontratave private për shërbime konsulente – njëra për përcaktimin e modelit për ristrukturimin e Sh.A. “Posta” dhe kontrata e dytë për shërbime konsulente për mbështetjen e procesit për privatizimin e mundshëm të “Hekurudhave”.

Prokurorja Katerina Kolareviq konsideron se në procesin gjyqësor do të mund të dëshmojë se ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë ka keqpërdorur pozitën dhe kompetencat e tij zyrtare dhe është e bindur se është dashur të shpallë tenderë, ndërsa Zekiri para gjykatës ka deklaruar se nuk ndihet fajtor dhe beson se nuk ka bërë shkelje të Ligjit për furnizime publike.

Zeqirit më 9 prill të vitit të kaluar i ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila më pas, për shkaqe shëndetësore iu zëvendësua me arrest shtëpiak.

Gjykimi drejtohet nga gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihailovska dhe gjyqtari Osman Shabani.