Nga 30 raste ndaj kryetarit të Strugës Merko, vetëm një dënim me kusht

Një komision i Prokurorisë Publike ka bërë mbikëqyrje të jashtëzakonshme mbi punën e kryetarit të Strugës Ramiz Merko, si dhe në rastet që kanë të bëjnë me punën e Komunës së Strugës gjatë periudhës kur ai ka mbajtur postin e kryetarit. Gjithsej 30 raste në lidhje me kryetarin e komunës së Strugës, i cili është futur në listën e zezë nga SHBA si përgjithësisht i papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, janë në shqyrtim për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Ajo që panë SHBA, ndërsa institucionet e Maqedonisë me sa duket jo, ishte se ai ndërhyri në procese gjyqësore dhe në procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut në institucionet dhe zyrtarët demokratikë në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Tani, në njoftimin e Prokurorisë Publike, thuhet se është kryer mbikëqyrje e jashtëzakonshme mbi punën e Prokurorisë Themelore Publike Strugë, Prokurorisë së Lartë Publike Manastir dhe Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kunë të gjitha ka të ngritura raste kundër personit Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës.

“Gjatë punës, Komisioni ka pasur një pasqyrë në gjithsej 30 lëndë të regjistruara, nga të cilat procedurat më të vjetra të përfunduara datojnë në vitin 2006, ndërsa në një pjesë të rasteve tashmë të zgjidhura, Komisioni u ka dërguar indikacione prokurorëve publikë lidhur me veprimet e tyre”, thuhet në njoftimin e PThP-së.

Sipas asaj që është parë, mund të konstatohet se janë 15 çështje “live” ndaj Merkos apo komunës dhe 15 të përfunduara. Vetëm në një rast është shqiptuar aktgjykim ndaj kryetarit të Komunës së Strugës dhe ai ka qenë i kushtëzuar.

Prokuroria pretendon se “nuk ka tolerancë për asnjë formë krimi dhe nuk do të ketë”.

Janë dhënë udhëzime për prokurimin e veturave zyrtare

Prokuroria themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka gjithsej 5 lëndë (2 në RO dhe 3 në regjistrin KO). Ndër to është edhe rasti me blerjen e kontestuar të veturave zyrtare në Komunën e Strugës, së cilës i bashkëngjiten iniciativa e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe raporti i Entit Shtetëror për Revizion, dhe në të cilin është miratuar aktvendim për një pjesë të akuzave, por pjesa tjetër është ende objekt kontrolli.

“Prokurorit publik kompetent i janë dhënë udhëzime për veprime të mëtutjeshme lidhur me këtë rast”, thonë nga Prokuroria.

Prokuroria e Lartë Publike e Manastirit në periudhën në vijim është udhëzuar që të bëjë kontrolle të shpeshta dhe të monitorojë procedurat në të gjitha rastet ndaj personave të përzgjedhur dhe të emëruar në prokuroritë publike themelore nën juridiksionin e saj.

Gjatë mbikëqyrjes, anëtarët e Komisionit kanë pasur biseda të drejtpërdrejta edhe me prokurorët publikë, të cilët janë pyetur se a kanë ndier presione në veprimet e tyre dhe nëse kanë pasur probleme gjatë zhvillimit të procedurës. Njëkohësisht, anëtarët e Komisionit apeluan prokurorët publikë kompetentë për shpejtësi më të madhe dhe i inkurajuan që të raportojnë çdo tentativë për kompromentimin e procedurave të zhvilluara në prokuroritë publike. Gjithashtu, prokurorëve publikë iu tregua edhe një herë rëndësia e madhe e transparencës dhe llogaridhënies në zhvillimin e të gjitha procedurave në interes të publikut.

Prokuroria Publike, me detyrimin që të udhëhiqet nga parimi i prezumimit të pafajësisë, siguron opinionin publik se në të gjitha rastet aktive ndaj personit të përmendur do të ndërmerren veprimet e nevojshme dhe do të hetohen të gjitha rrethanat, si dhe çdo krim i konstatuar  të mos mbetet pa ndjekje penale përkatëse.

Duke marrë parasysh të gjeturat nga mbikëqyrja e kryer, Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa masa shtesë me qëllim të forcimit të qëndrueshmërisë së sistemit të prokurorisë publike dhe shpejtësisë së veprimeve të prokurorit publik:

  • Udhëzim me shkrim për të gjitha Prokuroritë Publike të Larta dhe Themelore për përditësimin e procedimeve në të gjitha rastet, veçanërisht në rastet që kanë të bëjnë me vepra penale në fushën e korrupsionit dhe në çështjet që kanë të bëjnë me zyrtarë të zgjedhur dhe të emëruar.
  • Indikacion me shkrim Prokurorive të Larta Publike për kontroll të detyrueshëm të trajtimit të çështjeve ndaj personave të përzgjedhur dhe të emëruar gjatë çdo mbikëqyrjeje të rregullt në prokuroritë publike bazë në kompetencë të tyre.
  • Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të iniciojë takim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë Financiare, Entin Shtetëror të Auditimit, Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe organet dhe institucionet tjera kompetente, me qëllim të aktivizimit të një fronti kombëtar për të luftuar korrupsionin. Në kuadër të kompetencave të veta si autoritet që drejton procedurën hetimore, Prokuroria Publike do t’u japë udhëzime specifike institucioneve të tjera të policisë gjyqësore që të dinamizojnë veprimet e tyre, të insistojnë në bashkëpunim dhe të kërkojnë që të gjitha institucionet e tjera të përgjigjen me përpjekjet maksimale dhe investimet në luftën kundër krimit.
  • Do të inicohet takim me Shoqatën e Prokurorëve Publikë për të shqyrtuar mundësinë e krijimit të një kanali për raportimin e përpjekjeve për presion dhe ndikim te prokurorët publikë. Kjo do të hapë mundësinë e raportimit nga qytetarët, nga institucionet e tjera, por edhe nga vetë prokurorët publikë, ndërsa prokuroria do të vendosë mekanizma për kontrollimin e pretendimeve të tilla.

“Në këtë proces presim mbështetjen e publikut, por edhe të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që ndjekin punën tonë. Nuk ka tolerancë për asnjë formë krimi dhe nuk do të ketë”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.

Ambasadori, David Geer ka paralajmëruar ardhjen në Shkup të një misioni për vlerësimin e punës së Këshillit Gjyqësor, organit më të lartë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, që zgjedh dhe monitoron punën e gjykatësve.

Por, Këshilli ka qenë në shenjstër të kritikave për zgjedhjen e kuadrove partiak në pozita drejtuese në organet e drejtësisë, por edhe për mos veprim në më shumë raste lidhur më vjetërsimin apo mos procedimin e rasteve që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë shtetëror.