Tuberkulozi e kaloi koronavirusin si sëmundja infektive më vdekjeprurëse në botë

Tuberkulozi tani vret më shumë njerëz në mbarë botën sesa Covid-19 dhe SIDA, kanë njoftuar Kombet e Bashkuara. Kjo edhe për shkak të numrit të madh të të infektuarve në zonat e konfliktit, si Ukraina dhe Sudani, ku është e vështirë të monitorohet situata me këtë sëmundje, transmeton Portalb.mk.

“Tuberkulozi është sëmundja infektive më vdekjeprurëse në botë për momentin, duke marrë rreth 4400 jetë në ditë, 700 prej të cilëve janë fëmijë. Para Covid-19, i cili transmetohet edhe përmes ajrit, nuk ka pasur rritje dramatike të numrit të të infektuarve me tuberkuloz, por sot kemi atë lloj tuberkulozi që shohim në filma, ku njerëzit kollisin gjak dhe janë shumë të dobët”, tha Lucisa Ditiu, drejtoresha ekzekutive e organizatës “Stop tuberkulozit”.

Ukraina ka numrin më të madh të rasteve të tuberkulozit në rajonin evropian, 34,000, dhe numrin më të madh të pacientëve që janë rezistent ndaj barnave të tuberkulozit.

“Vaksina Covid-19 u zhvillua në më pak se një vit dhe për shkak të mungesës së parave, u deshën 19 vjet që tre ose katër vaksina kundër tuberkulozit të arrinin në fazën e tretë të testimit. “Kjo sëmundje shpesh harrohet”, tha Ditiu.