RMV, shpenzimet minimale në prill ishin 49.384 denarë: qytetarëve ju duhen mbi dy rroga, funksionarët mbulojnë tri shporta me paga e tyre

Një familjeje katër anëtarëshe muajin e kaluar iu nevojitën 49.384 denarë për të mbuluar shpenzimet minimale. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), e cila përgatit shportën e konsumit sindikal, thotë se më së shumti para në muajin prill, 19.224 denarë, janë nevojitur për ushqim dhe pije, ndërsa 13.423 denarë për mbulimin e shpenzimeve për banim, transmeton Portalb.mk.

“Përkundër të gjitha masave të Qeverisë, shpenzimet e ushqimit dhe pijeve vetëm për një vit janë rritur për 2.766 denarë, ndërsa në vitin 2023 vlera e ushqimeve dhe pijeve në pjesën e shportës minimale sindikale nuk ka rënë asnjëherë, gjë që tregon se funksionarët e shohin vetëm interesin e tyre dhe duke e ditur këtë fakt i kanë rritur pagat për 2.000 denarë në ditë ose për 78 për qind në muaj”, thonë nga LSM.

Sindikata e Maqedonisë thotë se dy paga minimale e gjysmë nuk i mjaftojnë një punëtori për të mbuluar këtë shportë konsumi dhe se paga e një zyrtari mbulon tri shporta minimale sindikale.

LSM u bën thirrje punëtorëve që masivisht t’i bashkohen sindikatave dhe në periudhën e ardhshme së bashku me ta të shprehin pakënaqësinë e tyre për këtë situatë.