Tridhjetë e katër vjet pas pavarësisë së RMV-së: Përparim teknik i shqiptarëve, por mungon cilësia
Tridhjetë e katër vjet pas pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, shqiptarët kanë bërë përparime teknike, por mungon cilësia. Politika shihet si sferë për t’u pasuruar, ndërkaq në fushën e ekonomisë mungon vizioni për t’u zhvilluar dhe për të ecur përpara, qoftë si shtet, po ashtu edhe si shoqëri. Kështu mendojnë njohësit e proceseve politike në Maqedoninë e Veriut, por edhe protagonistë në epoka të ndryshme si veprues politik, shkruan Portalb.mk.
Për ish ambasadorin Muhamed Halili, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke filluar prej vitit 90 e këndej kanë bërë përparime të dukshme, siç tha ai, edhe shifrat flasin.
“Edhe pse shpeshherë jemi pesimistë e kritik. S’kemi pasur asnjë universitet, sot kemi tri universitete. Ajo që nuk bën është fakti se universitetet i kemi shndërruar në fabrika për shitje të diplomave. Udhëheqja e institucioneve ka sjell produktive negative. E kemi rritur nepotizmin, e kemi rritur partizimin. Kemi patur ente për punësim, edhe sot i kemi për janë vetëm formalisht, sepse prioritetet bëhen nëpër zyrat e partive politike”, tha Halili.
Halili për Portalb.mk u shpreh decid se: “nuk mund të ankohemi për arritjet teknike, por mund të ankohemi për të arritura cilësore”.
“Mendoj se duhet të gjithë të bindemi se themelimi i partive politike nuk duhet të bëhet për t’u pasuruar njerëzit, ashtu si është rasti tash. Tash është bërë modë të themelojmë parti politike, të bëhemi anëtarë të partive politike që të bëhemi pasanik. Për faktin se ata që kanë hyrë në politikë janë bërë pasanikë”, përfundoi Halili.
Në prononcimin e tij për Portalb.mk, profesori universitar Mersel Bilalli theksoi se shqiptarët, procesit të formimit të shtetit ia kanë parë sherrin,
“Edhe maqedonasit, gjithashtu. Por shqiptarët më shumë ia kanë parë sherrin procesit të pavarësisë, tregues është migracioni, sidomos në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut. Strukturat politike shqiptare nuk kanë pasur vizion për zhvillim ekonomik. Gjithë kohës është marrë me punësime në administratë publike. Dhe ende, nuk kemi vizion se çka mund të bëjmë në aspekt të zhvillimit ekonomik. Ne presim prej Bashkimit Evropian. Por, BE nuk japin para të gatshme. Nuk do të thotë se të jeni në BE dhe të keni zhvillim, duhet vet të keni ide. Shumë shtete të ndryshme, ta cilat kanë qenë shumë të pazhvilluara, kanë gjetur përfaqësues politik që i ka zhvilluar ekonomikisht”, tha Bilalli.
Profesori Bilalli ka komentuar edhe situatën politikë në vend sot. Sipas tij, për 35 vjet i kemi shkaktuar probleme botës normale.
“Nuk është çudi që jemi i vetmi vend në botë që kemi probleme me pothuajse të gjithë fqinjët e tij. As fati i madh nuk mund të na shpëtojë nga e keqja që krijojmë vetë. Dhe me “burra shteti” të tillë na duhet fat i madh. “Patriotët” e mëdhenj zakonisht sjellin vetëm disfata të mëdha! Ne nuk e dimë se çfarë është zhvillimi ekonomik, por i gjithë vendi është skllavëruar nga 5-6 oligarkë, të cilët shpikin grindje dhe mosmarrëveshje identiteti që ne të mos i heqim qafe. Njerëzit që nuk e kanë kuptuar këtë as pas 35 vjetësh, nuk meritojnë një shtet. Dhe shteti nuk na meriton më. Duke besuar në të paarritshmen, kemi arritur të pabesueshmen. Nuk arritëm të krijojmë një sistem, por një provë qëndrese! Mund t’i mbushim zemrat tona me poezi të bukura, por jo me stomak bosh”, përfundoi Bilalli.
Më 8 shtator, Republika e Maqedonisë së Veriut ka shënuar 34 vjetorin e pavarësisë nga Jugosllavia.
Tridhjetë e katër vjetori i pavarësisë e gjeti vendin të bllokuar në rrugëtimin eurointegrues, me kontest të hapur me vendin fqinj, njëherazi edhe vend anëtar i BE-së, Bullgarinë.
Ndryshe, krerët aktual shtetëror të vendit uruan ditën e pavarësisë duke kujtuar se data historike është moment për të reflektuar dhe inspirim për të ndërtuar shtet më të fortë, më demokratik dhe të qëndrueshëm.