Festimi i 35-vjetorit të pavarësisë kushtoi gjithsej 5.5 milionë euro, ‘me një artiste shqiptare nuk çel pranvera’ (Video)
Festimi i 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut ka kushtuar rreth 340 milionë denarë, ose 5.53 milionë euro. Këtë e konfirmoi sot zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. Nga kjo shumë, 300 milionë denarë janë siguruar nga fitimi i pashpërndarë i Lotarisë Shtetërore, ndërsa rreth 40 milionë denarë janë siguruar përmes donacioneve nga kompani. Në festime munguan artistët shqiptarë, por zëdhënëses së qeverisë nuk i pëlqeu kur u pyet për këtë nga Portalb.mk.
Në dhjetëra ngjarjet e organizuara me rastin e pavarësisë, në mesin e mbi 30 artistëve maqedonas, vetëm një artiste ka performuar në gjuhën shqipe.
Ndërkaq pas bujës në opinion për këtë çështje, më pas u njoftua se një javë më vonë, më 15 shtator do të ketë koncert në Tetovë ku do të performojë Elita 5.
E pyetur se pse nuk u angazhuan më shumë artistë shqiptarë, zëdhënëses së Qeverisë nuk i pëlqeu pyetja dhe tentoi ta devijojë duke thënë se ka pasur edhe shqiptarë, duke iu referuar Dëshira Ahmeti Kërliut e cila performoi në shqip në Shkup.
“Unë nuk do të shkoja ndoshta me narrativat shqiptarë, maqedonas apo turq. Kishte interpretues që ndanin skenën muzikore maqedonase. Nga ajo që di, kishte një zonjë të mrekullueshme, e cila u paraqit më 1 shtator në Sheshin e Shkupit, së bashku me ‘Makedonija All Star’ dhe ‘Jose Carreras’. Ishte aty ajo, Dëshira. E di që në periudhën e ardhshme, nga ana e organizatorit, është paralajmëruar edhe një ngjarje më 15 shtator”, tha Miteva.
Ndërkohë, Boban Millosheski nga organizatorët e manifestimit, Avalon Production, njoftoi se më 15 shtator në Tetovë do të mbahet koncert i përbashkët i Elita 5 dhe Karolinës. Sipas tij, koncerti ishte planifikuar të mbahej para performancës së David Guettës, por nuk u realizua për shkak të kalendarit të ngjeshur.
“Me 15-in në Tetovë duhet të mbahet koncerti i përbashkët i Elita 5 dhe Karolinës. Ai duhej të mbahej para David Guettës, por me të vërtetë ne si kompani nuk kishim mundësi, që me këtë kalendar të ngjeshur ta bënim. Kështu që kjo është në kuadër të manifestimit. Elita 5 do të jetë grupi kryesor, ndërsa Karolina do të paraqitet me Elita 5. Besoj, në gëzim të një Tetove të përbashkët multietnike”, tha Millosheski.
Pothuajse 4.9 milionë euro nga Lotaria Shtetërore janë ndarë për aktivitetet që ishin pjesë e festimit të 35-vjetorit të pavarësisë. Përveç marrëveshjes me Lotarinë Shtetërore, në financimin e aktiviteteve kanë marrë pjesë edhe kompani të tjera, të cilat nga Qeveria i cilësuan si shoqërisht të përgjegjshme. Ato kanë dhënë edhe 650 mijë euro.
Drejtori i Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, sqaroi se 300 milionë denarët janë mjete nga fitimi i pashpërndarë i kompanisë dhe se Qeveria, si aksionari i vetem, kishte kërkuar që ato të ndaheshin për manifestimin. Sipas tij, Lotaria nuk kishte mundësi ta refuzonte këtë kërkesë.
Kështu, buxheti i përgjithshëm i festimit arrin në 5.5 milionë euro.
Shuma u bë publike katër muaj pasi u prezantua koncepti i festimit. Deri dje, Qeveria nuk kishte treguar se sa do të kushtonte organizimi dhe nga do të siguroheshin paratë.
Ndërsa vetëm një ditë më parë, BIRN zbuloi se paratë ishin siguruar nga Lotaria Shtetërore, themelues dhe pronar 100 për qind i së cilës është Qeveria.
Nga 2 gushti deri më 8 shtator u organizuan gjithsej 16 aktivitete. Shumica ishin pjesë e performancës muzikore-skenike me artistë maqedonas, të titulluar “Fort Shkëlqeu Dita”.
Përveç David Guettas, në kuadër të festimit performuan edhe DJ të njohur botërorë, si Steve Aoki, Paul van Dyk dhe Paul Oakenfold.
- LEXO: Marrëveshja me Avalonin për festimet e pavarësisë kaloi përmes Lotarisë Shtetërore, Qeveria nuk zbulon sa para publike u shpenzuan
- LEXO: 35 vjet pavarësi, miliona euro paqartësi: Qeveria nuk i tregon shpenzimet për koncertet
- LEXO: Pavarësia festohet pa shqiptarët: Asnjë shqiptar në mesin e mbi 30 artistëve në koncertin e sontëm në Shkup