Treni kalon, institucionet në gjumë: Banorët e Ramanlisë kërkojnë masa mbrojtëse në kalimin e hekurudhës, ka pasur edhe vdekje

Prej më shumë se 20 vitesh, banorët e fshatit Rramanli në Kumanovë jetojnë me frikën e kalimit mbi rrugën e cila kalon përmes hekurudhës ku nuk ka rampë, masa mbrojtëse dhe sinjalizim adekuat. Pavarësisht aksidenteve të shumta, disa edhe me pasoja fatale, institucionet nuk kanë gjetur zgjidhje, shkruan Portalb.mk.

Banorët e fshatit Rramanli në Komunën e Kumanovës ankohen për mungesën e sinjalizimit dhe rampave në pjesët e hekurudhës që kalon nëpër fshat. 

Ata e konsiderojnë këtë si rrezik të përhershëm për jetën e kalimtarëve. 

Nga 2 maj 2025, treni nga Shkupi në Kumanovë dhe anasjelltas qarkullon dy herë në ditë.

Një banor i Ramanlisë theksoi se situata është alarmante dhe çdo vonesë e autoriteteve mund të sjellë pasoja fatale, të cilat kanë ndodhur disa herë në të kaluarën. 

“Rruga më e rrezikshme në Maqedoninë e Veriut është rruga “Zhelenicka numër 343”në fshatin Rramanli, është një nga segmentet më të rrezikshme hekurudhore. As sinjalet nuk funksionojnë, as rampa nuk punon rregullisht, dhe fatkeqësi kanë ndodhur shumë herë. Një fëmijë pesë vjeçar ka humbur jetën, ndërsa një person tjetër ka rënë në një gropë pranë hekurudhës, dhe fatkeqësia më e madhe është se ne jemi ballafaquar me vdekje nga kjo rrugë. Përveç jush gazetarëve, nuk vjen askush, disa të tjerë vijnë, shkojnë dhe nuk ndërmarrin asgjë. Edhe pse kemi kërkuar deri te Komuna e Kumanovës që kjo hekurudhë të rregullohet, por kot deri tani nuk kanë marrë masa”, tha një banor. 

Ai shtoi se, në shumicën e rasteve, fëmijët duhet t’i përcjellin deri sa të kalojnë rrugën për të shkuar në shkollë, sepse kanë frikë se mos u ndodh ndonjë fatkeqësi. 

Një banor tjetër thotë se problemi është aq i përhapur, sa pothuajse çdo familje në lagje ka përjetuar ndonjë aksident apo situatë të rrezikshme, dhe se institucionet vazhdojnë të heshtin. 

“Unë jetoj këtu prej 30 vitesh, dhe ka pasur raste që kanë përfunduar me vdekje. Para dy vitesh, një person u shkel nga treni. Siç shihet nuk ka rampë, nuk ka sinjalizim, dhe ngjarje të tilla ndodhin vazhdimisht, dhe më e keqja është se në fund, gjithmonë fajësohemi ne, banorët. Po ashtu, një komshi ra në një gropë dhe u gjobit me 300 euro, e shpallën fajtor pse ‘nuk e kishte parë rampën’, kur rampë realisht nuk ekziston. Deri më tani, asnjë parti politike dhe as kryetari i komunës nuk kanë marrë masa, dhe kërkesat tona janë drejtuar prej më shumë se 10 vitesh”, tha një banor tjetër. 

Hekurudha e dëmtuar në fshatin Rramanli, Komuna e Kumanovës. Foto nga Portalb.mk
Hekurudha e dëmtuar në fshatin Rramanli, Komuna e Kumanovës. Foto nga Portalb.mk

Ndërsa një banor tjetër tha se nëse neglizhenca vazhdon, ata do të kërkojnë mënyra alternative për të kërkuar përgjegjësi nga autoritetet. 

“Problemi më i madh që kemi është rreziku për fëmijët që shkojnë në shkollë. Më e keqja është se treni nuk duket mirë nga asnjëra anë për shkak të kthesës, dhe pa mbrojtëset nuk shihet fare. Semaforët nuk funksionojnë. Gati çdo familje ka pasur ndonjë aksident, dhe në vitin 2004 kam qenë edhe unë i lënduar. Na japin premtime boshe çdo ditë, veçanërisht para zgjedhjeve. Para dy javësh erdhën disa nga komuna dhe na premtuan se rregullimi i hekurudhës do të jetë prioriteti i tyre, por deri tani nuk ka pasur asnjë përgjigje. Vetëm kur ndodh ndonjë aksident premtojnë se do ta rregullojnë brenda muajit, dhe pastaj zhduken”, tha një banor. 

Ai shtoi se, nëse nuk ndërmerren masa në të ardhmen, qytetarët do të jenë të detyruar të bllokojnë rrugën e hekurudhës. 

Gropë afër hekurudhës në fshatin Rramanli Komuna e Kumanovës. Foto nga Portalb.mk
Gropë afër hekurudhës në fshatin Rramanli Komuna e Kumanovës. Foto nga Portalb.mk

Edhe të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë për aksidente në këtë kalim hekurudhor. 

“Nga viti 2020 – 2024 janë evidentuar gjithsej katër aksidente trafiku në kalimin hekurudhor në fshatin Rramanli të Komunës së Kumanovës. Gjatë vitit 2025 nuk janë evidentuar aksidente trafiku në kalimin hekurudhor. Në aksidentet e ndodhura në kalimin hekurudhor në fshatin Rramanli, dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore, dy të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore, si dhe janë shkaktuar dëme materiale”, thanë nga MPB-ja. 

Pavarësisht gjendjes në terren, Ndërmarrja Publike “Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut” arsyetohet se sinjalizimi në kalimet hekurudhore në fshatin Rramanli funksionon siç duhet. 

“Kolegët nga terreni kanë njoftuar se në kalimet rrugore brenda fshatit Rramanli funksionon sinjalizimi i dritës, zanor dhe vizual (kryqi i Andreev-it). Nuk ka rampa për shkak të frekuencës së ulët të qarkullimit”, thanë nga NP “Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut”. 

Stacioni hekurudhor në fshatin Rramanli Komuna e Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Stacioni hekurudhor në fshatin Rramanli Komuna e Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Nga Komuna e Kumanovës edhe pse na konfirmuan se do të japin përgjigje për këtë problem, deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigjën. Nuk u përgjigjën as nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. 

Ndryshe, mbikalime të tilla mbi hekurudhë ka në shumë vende në mbarë territorin e shtetit.