USAID me projekt të ri: Të rinjtë kanë potencial, por nuk kanë mbështetje

Të rinjtë në vend kanë shumë potencial dhe zgjidhja nuk është të shpërngulen jashtë vendit, por duhet të mbështeten dhe të përfshihen në komunitet. Ky ishte mesazhi nga ngjarja që u zhvillua sot në “Netavil” në Shkup, ku zyrtarisht u nënshkrua memorandumi ndërmjet USAID-it dhe Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup, transmeton Meta.mk.

Bëhet fjalë për aktivitetin e USAID-it për të rinjtë në krijimin e mundësive – aktivitet pesëvjeçar që do të ndihmojë më shumë se 10,000 të rinj të lidhen me mundësitë që u nevojiten për të qenë konkurrues në ekonominë e sotme.

Projekti kap vlerën e 7 milionë dollarëve dhe synon të krijojë partneritete për mundësi tërheqëse ekonomike për të rinjtë, të forcojë aftësitë e të rinjve për karrierë të suksesshme dhe të promovojë vlera të tilla si përgjegjësia, etika dhe pjesëmarrja qytetare.

Manifestimin e hapën Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska, drejtoresha e USAID-it për Evropë dhe Euroazi, ambasadorja Erin E. McKee. Memorandumi u nënshkrua nga Prof. Dr. Biljana Angellova, rektore e UKIM-së dhe Nebojsha Mojsoski, udhëheqës i Aktivitetit të USAID-it.

Ministrja Trençevska në fjalën e saj theksoi se të rinjtë kanë shumë potencial, por shpesh vendosin të largohen nga vendi. Si të mbahen këtu është një nga çështjet që ka rëndësi të veçantë për MTSP-në, tha Trençevska, duke treguar planin operativ për programet aktive të punësimit dhe masat e përgatitura nga ministria.

Erin E. McKee, e cila sot pati takim edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, në deklaratën e saj për media tha se përkundër potencialit dhe dëshirës së të rinjve në RMV për të qenë ambiciozë, ajo është e vetëdijshme se ka shumë pengesa.

“Të rinjtë përballen me shumë sfida, duke përfshirë mungesën e karrierës atraktive, si dhe shkallën e ulët të punësimit, që mendohet të jetë rreth 25 përqind te të rinjtë. Bazuar në statistikat, por edhe nga ato që kam parë dhe dëgjuar gjatë vizitës time të deritanishme në shtet, të rinjtë këtu ndihen të zhgënjyer nga qeveria, nga sfidat ekonomike”, tha McKee.

Ambasadorja theksoi se gjysma e të rinjve në Maqedoni nuk kanë votuar dhe planifikojnë të largohen nga vendi. Ajo thotë se kjo situatë paraqet kërcënim serioz për demokracinë, e cila kërkon angazhimin e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve.